Nga Roland Qafoku
Në librin e tij me kujtime “My life” (Jeta ime) të botuar në vitin 2004, presidenti Bill Clinton ka përmendur 2 herë fjalën Albania (Shqipëri) dhe Albanian (shqiptar), 18 herë fjalën Kosovo, dhe 3 herë fjalën (Kosovo Liberation Army) UÇK. Në faqen 798 shkruan për datën 15 gusht 1998:
“Kisha marrë gjithashtu një raport të inteligjencës se Al Kaeda kishte plane për të sulmuar një ambasadë tjetër, në Tiranë, Shqipëri dhe se armiqtë tanë mendonin se Amerika ishte e pambrojtur, sepse ne do të shpërqendroheshim nga polemikat mbi sjelljen time personale”.
Në faqen 851 shkruan për datën 24 mars 1999:
“Atë natë filluan sulmet ajrore të NATO-s. Kjo do të zgjaste për njëmbëdhjetë javë pasi Millosheviçi vazhdonte të vriste shqiptarët e Kosovës dhe të dëbonte pothuajse një milion njerëz nga shtëpitë e tyre. Bombat do të shkaktonin dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë”.
Asnjë nga 46 presidentët në 234 vite histori e presidencës së SHBA, në librat e shkruar prej tyre dhe jo vetëm, por edhe në çdo frazë e deklaratë të nxjerrë nga goja, nuk ka kaq shumë fjalë, jo vetëm duke e përmendur, por edhe të trajtuar si çështje të shqiptarëve, sa ka bërë presidenti i 42-të, Bill Clinton.
Vizita e nesërme e tij në Tiranë nuk është vetëm një rutinë e një presidenti në pension. Nuk është as një statistikë si i treti president amerikan që shkel tokën shqiptare pas George H. Bush (Plaku) dhe djalit të tij në detyrën e presidentit George W. Bush. Vizita e presidentit Bill Clinton ka vlerë historike, për ti shprehur mirënjohjen e madhe për atë që ai ka bërë për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Në 8 vitet e presidencës së tij, 1993-2001, ai arriti të zgjidhë çështjen e madhe kombëtare shqiptare duke i dhënë të drejtën pas rreth 100 viteve shqiptarëve të Kosovës të robëruar nën regjimet e njëpasnjëshme shtypëse serbe, duke e larguar atë popull nga robëria duke e çliruar nga kjo robëri. Miratimi i tij që NATO të sulmonte Serbinë ishte rasti i parë, i paprecedentë dhe i vetmi i deritanishëm që një president ka bërë luftë në kontinent që pas vitit 1945. Por doktrina e tij për vetëvendosjen, e bazuar në teorinë e Thomas Woodrow Wilson, bëri që shqiptarët të shndërrojnë dy presidentët amerikanë si dy apostuj të çështjes kombëtare: I pari, Thomas Woodrow Wilson, si presidenti që konfirmoi shtetin shqiptar në vitin 1919 ndërkohë që Evropa e kishte projektuar ta zhdukte dhe i dyti, Bill Clinton, në vitin 1999 si presidenti që bëri luftë për të hapur rrugën për krijimin e shtetit të Kosovës, i dyti shtet me shqiptarë në trojet e tyre.
HEROI I KOSOVËS ËSHTË BILL KLINTON
Dy presidentët babë e bir, George H. Bush (Plaku) dhe George W. Bush (i biri) janë ata që kanë një kontribut të jashtëzakoshëm në ideimin dhe themelimin e shtetit të Kosovës. George Bush plaku për inicimin dhe startin e një çështje që deri në atë kohë as zihej me gojë dhe i biri që gjatë presidencës që vijoi atje ku e la Bill Clinton e shpalli Kosovën shtet. Por përtej këtij kontributi, ajo që presidenti i 42-të Bill Clinton ka bërë për Kosovën është e pamatë. Ishte ai që ideoi dhe zbatoi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Ishte ai që ideoi dhe realizoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë për të shpëtuar 2 milionë shqiptarët nga ofensiva serbe. Ishte ai që ideoi dhe kërkoi Kongresit miratimin për sulmet e NATO-s në Serbi dhe ishte ai që çliroi Kosovën nga invadimi që i kishte bërë ushtria serbe e Sllobodan Milosheviçit. Me pak fjalë, Bill Clinton është arkitekti i shtetit të Kosovës. Sigurisht një mirënjohje shkon edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij që nga sekretarja Madeleine Albright, por veçanërisht bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, e cila në vizitën e saj në 5 nëntor 2012 në Tiranë tha në parlament:
“SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të Pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”.
Për të gjitha këto, vizita e Bill Clinton ditën e nesërme nuk është një udhëtim turistik për t’i treguar bukuritë natyrore të Shqipërisë. Por një moment për t’i shprehur mirënjohjen e madhe dhe të pashlyeshme për atë që ai ka bërë personalisht për shqiptarët. Por vizita e tij ka edhe një domethënie tjetër. Do mbetet lapidare shprehja e tij në vitin 1999 duke iu drejtuar shqiptarëve: Ne bëmë luftën, ju bëni paqen! Por a kanë bërë paqen shqiptarët e Kosovës? Nga viti 1999 deri në 2008 kur u shpall shtet nga George W. Bush, Kosova vijoi nën protektoratin ndërkombëtar dhe duke arritur finalizimin në pakon e Ahtisarit. Por pas themelimit të shtetit, Kosova vijoi me doktrinën e paqes dhe krijimin institucioneve të reja.Vizita e Bill Clinton në fakt përkon me një situatë aspak të favorshme në Kosovë. Kryeministri i 9-të pas themelimit të shtetit të Kosovës po ravijëzon një raport aspak normal me SHBA dhe vizita e Clinton në Tiranë merr rëndësi si për të kujtuar se Kosova është shtet vetëm deshi SHBA. Nëse Bill Clinton bëri luftën, shqiptarët e Kosovës duket se i janë larguar shumë paqes. Dhe paqja e lëkundur në situatën më të fundit atje është në atë pikë që askush nuk e parashikon se ç’mund të ndodhë. Prezenca e Clinton në Tiranë është domethënëse në këtë drejtim vetëm e vetëm për t’i kujtuar kryeministrit Albin Kurti dhe mbështetësve të tij se dashuria dhe mirënjohja për SHBA nuk ka dhe nuk duhet të ketë datë skadence. Por të jetë e pafund dhe pa matë. Bill Clinton meriton çdo fjalë të madhe në nder të asaj që ai bëri për shqiptarët e Kosovës, por nderi më i madh që duhet të bëjnë shqiptarët është nderimi dhe respekti ndaj SHBA dhe vijimi i procesit të paqes.
RREZIKU TERRORIST NË SHQIPËRI
Ka gati një harresë të një merite tjetër të presidentit Bill Clinton me shqiptarët dhe Shqipërinë. Pas çështjes kombëtare me shqiptarët e Kosovës kreu i shtetit amerikan ka një meritë të jashtëzakonshme në raportet me luftën ndaj terrorizmit. Sigurisht që këtu hyn edhe angazhimi dhe gatishmëria e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Por pa impenjimin e agjensive amerikane dhe të direkt të presidentit të SHBA Clinton ky bashkëpunim nuk kishte për t’u arritur. Kjo histori ka një kronolgji që kulmoi me disa ngjarje nga më të rëndat në botë dhe që kulmoi me sulmin dhe rrëzimin e dy kullave binjake në New York më 11 shtator 2001. Por deri në këtë datë, nga e cila Clinton kishte vetëm 8 muaj që kishte lënë detyrën, kishin ndodhur një radhë me ngjarje të tjera. Në korrik të vitit 1998 në Shqipëri u arrestuan dy eksponentë nga më të rrezikshëm të terrorizmit islamik në botë, të cilët fshiheshin për shumë vite nën ombrellën e shoqatës humanitare “Al Haramain”. Ata u dërguan si të dënuar me vdekje në Kajro të Egjiptit dhe u ekzekutuan mbi bazën e një vendimi gjykate si atentatorë ndaj kryeministrit egjiptian. Por ky arrestim dhe ekzekutim irritoi në ekstrem organizatën terroriste Al Qaeda që si kundërpërgjigje sulmoi dhe hodhi në erë më 7 gusht 1998 dy ambasadat amerikane në Nairobi të Kenias dhe në Dar Es Salaam të Tanzanisë. Si pasojë, u vranë 200 persona, shumica amerikanë dhe u plagosën 5 mijë të tjerë. Kjo shërbeu dhe si pikënisja e luftës mes terrorizmit islamik dhe Al Qaedës nga njëra anë me në krye Bin Laden dhe nga ana tjetër e SHBA. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje Shqipëria u kthye në një nga qendrat e kësaj lufte. Al Qaeda kishte arritur të ngrinte celulat e saj në Shqipëri dhe për shumë kohë në Tiranë dhe disa qytete fshiheshin eksponentët nga më të rrezikshëm të saj. Disa objekte dhe persona konkretë u bënë target i xhihadit islamik ose siç njihet ndryshe Lufta e Shenjtë dhe rreziku i një ngjarje hakmarrëse nga Al Qaeda ishte mëse i mundshëm në Shqipëri. Kulmi arriti kur shënjestër u bë godina e ambasadës amerikane në rrugën e Elbasanit dhe vetë ambasadorja e asaj kohe Marisa Lino, e cila ishte përgjuar nga terroristët. Sapo CIA dhe agjensitë e tjera e zbuluan këtë plan të Al Qaedës për rreth një vit ambasada amerikane u mbyll. Në të nuk kryhej asnjë veprim dhe u mor nën ruajtjen e marinsave. Ndërkohë një tank dhe blloqe betoni mbanin të bllokuar segmentin e rrugës së Elbasanit ku ndodhej godina. Për dy vite, CIA, FBI dhe policia shqiptare organizoi disa operacione në Tiranë dhe qytete të tjera për zbulimin dhe asgjesimin e terrorristëve të Al Qaedës dhe kjo u shoqërua me arrestimin e dhjetra prej tyre. Në raportet e këtyre agjensive Shqipëria u vlerësua si një partner i jashtëzakonshëm dhe i besueshëm. Por kjo zgjati pak vite. Më 11 shtator 2001, Al Qaeda me urdhër direkt të Bin Laden kreu sulmin e madh ndaj kullave binjake dhe njëkohësisht edhe në disa objekte të tjera duke arritur të vrasë rreth 3 mijë amerikanë dhe plagosur shumë të tjerë. Pëer herë SHBA ishte në luftë ndaj një individi dhe doktrinës së tij terroriste. Një luftë që më pas vijoi me sulmet e njëpasnjëshme të SHBA ndaj kësaj organizate me vrasjen e Bin Laden dhe me asgjesimin e plotë të disa arganizatave terroriste, ku më kryesorja ishte Al Qaeda.
RE PRESIDENTËT E SHBA NË SHQIPËRI
9 GUSHT 1996. Presidenti George H. Bush (Plaku) kishte pak më shumë se tre vjet që kishte lënë detyrën e presidentit, kur më 9 gusht 1996, bashkë me bashkëshorten Barbara, ish-shefin e shtabit, Gjeneralin në pension Colin Powell dhe të birin Jeb Bush mbërriti me jahtin e tij në Vlorë në një vizitë historike. Takimi i tij me presidentin e Shqipërisë Sali Berisha ishte një ngjarje madhore për kohën. Ai ishte i pari president që prekte tokën shqiptare dhe vlera e vizitës rritejn me situtanë që ndodhej Shqipëria politike. Shqipëria po kalonte ditë jo të mira politike dhe marrëdhëniet e Tiranës me Washington ishin të ndera pas disa përplasjeve të presidentit Berisha pas arrestimit të 5 minoritarëve grekë, të thyerjes së embargos së naftës nga OKB si dhe parregullsive të zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996.
10 QERSHOR 2007. Presidenti George W. Bush realizoi një vizitë historike më 10 qershor 2007 në Shqipëri. Kjo që ishte edhe vizita e parë e një presidenti në detyrë të SHBA. Kjo ishte njëkohësisht edhe vizita më e rëndësishme e një personaliteti botëror në historinë e shtetit shqiptar. Për ato 8 orë që Bush qendroi në Shqipëri, vendi ynë nuk u shndërrua vetëm në qendër të lajmit numër një të Botës por ajo mori vlerë shumë më të mnadhe se nga Tirana Bush deklaroi se Kosova do ishte shteti më i ri në planet. Pritja ndaj Bush ishte e tillë që në të u shpreh e gjithë mirënjohja e akumuluar që shqiptarët kishin ndër dekada ndaj SHBA. Media amerikane dhe botërore i la hapësirë si rrallëherë lajmeve nga Shqipëria. Kjo vizitë u cilësua gjithashtu si më e suksesshmja që një president amerikan ka bërë jashtë SHBA. “New York Times” shkroi se presidenti amerikan u prit si një yll rroku ndërsa “La Republicca” shkroi se Shqipëria është vendi më filoamerikan në planet.
3 KORRIK 2023. Presidenti Bill Clinton ka më shumë se 22 vjet që ka lënë detyrën e kreut të shtetit në SHBA. Por në memorien e kombit tonë ai mbetet personaliteti më i rëndësishëm proshqiptar dhe ai që ka bërë më shumë se askush tjetër për shqiptarët. Vizita e tij ditën e nesërme nuk vlen vetëm si një kortezi politike dhe kaq. Prezenca e tij në Tiranë është një moment historik për të shprehur mirënjohjen personale ndaj tij, por edhe mirënjohjen historike ndaj SHBA.