Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare u rrit lehtë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, por duke qëndruar pranë niveleve minimale historike. Të dhënat e INSTAT treguan se shkalla e papunësisë për popullsinë mbi 15 vjeç ishte 10.8%, në rritje të lehtë nga niveli 10.6% i tremujorit të tretë, por në rënie nga normë prej 11.4% e regjistruar në tremujorin e fundit 2021.
Me bazë vjetore, papunësia paraqitet në rënie si për burrat, ashtue dhe për gratë. Ndërkohë, me bazë tremujore, rritja e lehtë e papunësisë në tremujorin e fundit ka ardhur nga burrat, ndërsa papunësia mes grave ka vijuar rënien. Sipas grupmoshave, rritja e papunësisë në tremujorin e katërt u ndikua sidomos nga grupmoshta e reja (15-29 vjeç), ku papunësia u rrit në 21.5%, nga 20.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm dhe 20.6% në të njëtin tremujor të një viti më parë.
Pavarësisht rritjes së lehtë të papunësisë në tremujorin e fundit, shkalla e punësimit në ekonomi ka vijuar rritjen, si me bazë krahasimi tremujore, ashtu edhe vjetore. Shkalla e punësimit (për popullsinë 15-64 vjeç) në tremujorin IV 2022 arriti në nivelin e ri rekord 66.5%, nga 65.4% që ishte ën tremujorin e mëparshëm dhe 62.1% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Punësimi ka vijuar të rritet si për të rinjtë, ashtu edhe për grupmoshën 30-64 vjeç.
Sipas sektorëve, kontributin kryesor në rritjen e punësimit në ekonomi e ka dhënë sektori i shërbimeve, ku punësimi është rritur me 6.3% me bazë vjetore dhe me 1.4% me bazë tremujore. Ndërkohë, bujqësia dhe industria kanë ruajtur ritme pozitive të rritjes me bazë vjetore (përkatësisht 3.8% dhe 0.5%), por kanë pësuar rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm (me 2.5% dhe 0.3%).
Një ndikim në rritjen tremujore të papunësisë, pavarësisht rritjes paralele të punësimit, duket se ka pasur tendenca e vazhdueshme e rritjes së pjesëmarrjes në forcat e punës. Ky tregues arriti në 74.8%, nga 73.4% që ishte një tremujor më parë dhe 70.4% në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Shkalla e të ppaunësve të dekurajuar, që nuk kërkojnë punë sepse nuk besojnë se mund ta gjejnë, shënoi nivelin 9.3%, në rritje të lehtë krahasuar me tremujorin III 2022, por në rënie të ndjeshme nga niveli 11.7% i tremujorit të fundit 2021.
Shkalla e ulët e papunësisë dhe nivelet e larta të punësimit tregojnë ngushtim të ndjeshëm të hendekut mes kërkesës dhe ofertës për punë në ekonomi, si edhe është dëshmi e vështirësive në rritje të sipërmarrjes për sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore. Nga ana tjetër, gjendja e mirë e tregut të punës është një tregues i tërthortë që dëshmon për ende të larta inflacioniste në ekonomi. Niveli i ulët i papunësisë është një nga indikatorët makroekonomikë që tregojnë se ndoshta do të duhet ende kohë derisa inflacioni të kthehet në rënie të qëndrueshme./ Monitor