top of page

10 ditë që nuk tronditën gazetarët!

Çfarë janë zgjedhjet pa program, pa debat mes kandidatësh, pa fact-cheking dhe pa gazetarë profesionistë që raportojnë? Vështirë të gjesh një emër që mund të përmbledhë një situatë e cila sa vjen dhe bëhet më absurde. Zgjedhjet nënkuptojnë një kuadër ligjor/rregullator për të cilin garuesit janë dakord, një arbitër të paanshëm dhe sidomos një publik të mirëinformuar nga media.

Raportimi.

Por sa i informuar është sot publiku në ditën e 10-të të fushatës? “Kronikat” që shihen në ekran nuk janë raportime të gazetarëve, por raportime që partitë dhe kandidatët i bëjnë vetvetes. Kemi regji qendrore për aktivitetet e mëdha dhe lente të mëdha për aktivitetet e vogla ku mungesa e pjesëmarrësve kompensohet nga aftësitë e kameramanit.

Zgjedhjet janë momenti kur njerëzit duhet të vendosin për alternativën më të mirë, janë momenti kur bëhet bilanci i premtimeve të vjetra dhe verifikimi i premtimeve të reja. Zgjedhjet lokale janë rasti për të diskutuar çështje konkrete që lidhen me menaxhimin e qyteteve, taksat, pastrimi, ambienti, transporti, siguria, çerdhet, kopshti, shkolla, prioritetet e buxhetit…

Në epokën e mediave sociale, ku lajmi dhe lajmësi bëhen një, është kthyer në një praktikë normale që liderët politikë komunikojnë me votuesit në mënyrë të drejtpërdrejtë pa ndërmjetësinë e gazetarëve/medias. Media nuk është më e vetme që informon publikun. Por në vend që të zgjedhë rrugën më të vështirë, media ka zgjedhur rrugën më të lehtë. Sot nuk përbën më çudi fakti që televizionet transmetojnë live jo nga kamerat e tyre, por nga facebook-u i liderit. Nuk përbën më çudi, madje duket normale, që 3-4 lajmet e para të edicionit qendror të televizioneve kombëtare të jenë thjesht një copy-paste i postimeve në Instagram, Facebook, Twitter apo TikTok të kryeministrit.

Vendimi për të bërë “lajm” postimet ku teksti dhe video janë shkruar nga lideri/kandidati apo stafet e tyre sjell pasoja jo vetëm për publikun, por edhe për vetë televizionet... Duke bërë lajm “postimet” pa bërë asnjë verifikim apo pa ofruar një kontekst televizionet po amplifikojnë propagandën apo dezinformin tek publiku. Për më tepër duke “balancuar” këtë raportim me postimet e dy palëve, televizioni bëhet “rrip transmisioni” i retorikës ekstreme duke çuar në polarizimin e opinionit publik dhe tensionimin e fushatës.

Qëllimi i liderëve politikë/kandidatëve është fitorja e votave me çdo çmim. Bërja lajm e “postimeve” dhe “cicërimeve” nuk është normale, – por duke kthyer postimet në lajm, kemi normalizimin e anormalitetit. Televizionet po i bëjnë dëm vetes për shkak se po minojnë reputacionin e tyre si burime të besueshme informacioni. Për të ndërtuar reputacionin duhen vite e dekada dhe mjafton një ditë e vetme për ta shkatërruar. Media në përgjithësi dhe televizioni në veçanti ka qenë një nga institucionet më të besueshme në vend.

Besueshmëria te media, nëse i referohemi të dhënave të fundit të Barometrit të Ballkanit ka ardhur duke rënë. Duke hequr dorë nga raportimi i zgjedhjeve dhe duke u mjaftuar me “balancën” e “lajmeve” të ofruar nga kandidatët dhe liderët, publiku nuk merr asnjë informacion për çështje konkrete lokale apo edhe kombëtare, fushata i ngjan një beteje mes “të mirës” dhe “të mrekullueshmes” në një anë dhe të “keqes” dhe “fatkeqësisë” në anën tjetër. Fushata nuk ngjan më lokale se nuk raportohen çështje lokale. Duket se nuk kemi të bëjmë me një fushatë për të zgjedhur kryetarët e bashkive, por për të zgjedhur “kryebashkiakët” e Shqipërisë. Nëse në ekranet e televizioneve njerëzit informohen nga partitë, nuk dallon shumë situata edhe në rrugë dhe sheshe. Në sheshe qytetesh dhe rrugë kombëtare sheh postera të mëdhenj me fotot e kryeministrit të buzëqeshur dhe plot ngjyra (Vetëm Përpara) dhe fotot bardh e zi të Berishës dhe Metës (Kurrë Prapa). Çfarë posterash do të ketë pas dy vitesh kur të mbahen zgjedhjet politike?

Media dhe gazetarët nuk po i raportojnë zgjedhjet dhe kjo nuk është hera e parë. Më e pakta që mund të bëhet në këtë situatë është sinqeriteti. Spikeret dhe gazetarët në respekt të shikuesve të vet mund dhe duhet të thonë: Këto “lajme” që ju do të shihni nuk janë përgatitur nga gazetarët, por nga vetë stafi i kandidatëve në fushatë.

Debati.

Mungesa e raportimit të gazetarëve mund të kompensohej deri diku nga debati mes kandidatëve por mjerisht edhe kjo nuk ndodh.

Në Shqipëri është rritur një brez votuesish që nuk ka parë asnjë debat zgjedhor. Që kur ka ardhur në pushtet një dekadë më parë, Partia Socialiste, ka hequr dorë njëherë e mirë nga debatet.

Debatet televizive për të ishin të vlefshme vetëm për kohën që është në opozitë dhe anasjelltasi për Partinë Demokratike. Sot mediat përpëliten me fraza të çuditshme dhe nuk shqiptojnë një të vërtetë të thjeshtë: kandidatët e opozitës kërkojnë debat, kandidatët e pozitës nuk lejon/duan të bëjnë debat. Edhe aty ku duket se ka debat, debati është me “bedelë”, dy këtej që mbështesin partinë në pushtet dhe dy në anën tjetër që janë kritikë ndaj qeverisë.

***

Zgjedhjet që dikur kanë qenë periudha më sfiduese për gazetarët dhe median, janë kthyer në periudhë më relaksuese… Puna e gazetarëve dhe redaktorëve është reduktuar në atë të një magazinieri që duhet të kujdeset që minutazhi i lajmeve dhe reportazheve të jetë në përputhje me kërkesat e kodit zgjedhor.

Dhe ky i fundit ka të sanksionuar edhe absurditetin që mediat (televizive) duhet të pranojnë dhe të transmetojnë materialin e servirur nga partitë politike! Në fund të zgjedhjeve qershia mbi tortë do të jenë rekomandimet e radhës dhe vlerësimi i medias për raportimin e balancuar dhe profesional, konstatimi se janë bërë “hapa përpara”, por…

bottom of page