top of page

120 gra nga Nepali të punësuara në fabrikat e këpucëve në Shqipëri

Mungesa e fuqisë punëtore ka rritur numrin e punonjësve të huaj në vend, por edhe rrezikun e kompanive për largimin e tyre.

Një nga sektorët në ngërç për mungesën e punëtorëve është edhe ai fason.

Edvin Prençi, kryetari i shoqatës “Pro Eksport Albania”, tha për “Monitor” se prej muajsh fabrikat e sektorit fason po punësojnë gra nga Nepali, pasi punonjës të kombësive të tjera, kryesisht Bangladeshi, janë larguar të gjithë.

Sipas tij, nevoja më e lartë për punësime është më emergjente në sektorin e prodhimit të këpucëve. Deri tani numri i grave të punësuara nga Nepali për fabrikat fason të këpucëve nëpërmjet shoqatës arrin në 120. Fabrika të tjera të tekstilit që prodhojnë për të tretët nëpërmjet agjencive të punësimit kanë punësuar gra nga Filipinet me eksperiencë të ngjashme në vendin e tyre.

“Prej 3 muajsh shumica e fabrikave të sektorit fason po punësojnë gra nga Nepali që kanë përqindje më të ulët rreziku për t’u larguar. Frika e largimit ekziston edhe për këtë kategori të punësuara, çka do të dëmtonte kompanitë e sektorit, pasi kostot janë të larta”.

Kryetari i Shoqatës Pro Eksport Albania shton se pavarësisht se dokumentacioni është thjeshtësuar, mbeten ende të larta kostot për marrjen e punonjësve të huaj.

“Tarifa për përkthim/noterizim të dokumenteve ka kosto 5,000 lekë, 50 euro kosto për policën e sigurimit të shëndetit, 422 euro bileta e udhëtimit në rast se me dakordësi do ta paguajë punëdhënësi. Afati për mbylljen e procedurave është 50 ditë. Pas mbylljes së tyre sërish ekziston frika e problemeve deri në ardhjen e personit”./MONITOR


bottom of page