top of page

15 vite nga tragjedia e Gërdecit

Çdo përvjetor të kësaj tragjedie, familjarët e viktimave zhvillojnë homazhe te Memoriali i viktimave, në periferi të fshatit Gërdec.

TIRANË- Dita e sotme, 15 marsi i vitit 2023 shënon plot 15 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, rreth 300 të tjerë u plagosën, ndërkohë që dëmet materiale ishin të panumërta.

Më 15 mars të vitit 2008 Tirana u lëkund nga një shpërthim i fuqishëm i ndodhur vetëm pak kilometra larg, në fshatin e quajtur Gërdec. Një magazinë e kthyer në “fabrikë” për demontimin e armëve shpërtheu duke u marrë jetën të paktën 26 personave. Shumë të tjerë u gjymtuan, shtëpitë u shkatërruan dhe shpërthimi krijoi një krater të madh.

Çdo përvjetor të kësaj tragjedie, familjarët e viktimave zhvillojnë homazhe te Memoriali i viktimave, në periferi të fshatit Gërdec.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë ndërkohë që Fatmir Mediu, në atë kohë ministër i Mbrojtjes i shpëtoi gjykimit pasi kishte mandatin e deputetit. Ylli Pinari, drejtor i MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës Albademi, ishte treshja e të pandehurve kryesorë për Tragjedinë e Gërdecit.

Sot, 15 vite pas ngjarjes, kjo tragjedi po rihetohet. Fatmir Mediu po rigjykohet si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për këtë tragjedi. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues.

Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.


bottom of page