Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha përkujtohet sot në 15 vjetorin e vdekjes së tij. Më 23 maj 2008 Dritan Hoxha u nda nga jeta, pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Tiranë.
Me punën e palodhur të tij, DigitAlb ishte e para kompani që realizoi në Shqipëri transmetime në High Definition, ndërsa Top Channel, i pari televizion që prodhoi emisione dhe dokumentarë në High Definition.
“Ëndrra vazhdon” ishte mesazhi pas vdekjes së Tanit, siç e njihnin të gjithë, dhe sot Top Channel vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një njeriu që tregoi se gjithçka mund të ishte e mundur nëse do ta doje vërtet me gjithë zemër.
Dritan Hoxha është vlerësuar me medalje edhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, si dhe është shpallur qytetar nderi i Tiranës dhe Vlorës, nga këshillat bashkiakë të këtyre qyteteve. Tri rrugë mbajnë emrin e tij, një në Tiranë, një në Prishtinë dhe tjetra në Tetovë si simbole të kontributit që Dritan Hoxha dha për bashkimin kulturor dhe emancipimin e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.
Në orët e para të 23 Majit 2008, ai humbi kontrollin e makinës “Ferrari” që drejtonte dhe doli nga rruga në bulevardin buzë Lanës. Mjeti u përplas me një nga pemët dhe u nda në dy pjesë, duke bërë që Dritan Hoxha të ndërronte jetë. Ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 40 vjeçare.