Barra e rritjes së çmimeve në vitin 2022 duket se është mbajtur nga konsumatorët, që kanë paguar më shumë për të blerë një produkt apo shërbim. Shumica e bizneseve kanë raportuar rritje të larta të fitimeve, me 65% të tyre, që deklaruan norma dyshifrore. Hyrjet në listë nga segmenti i ndërtimit ishin rekord këtë vit, duke reflektuar orientimin e kapitaleve të lira në këtë sektor me kthim të shpejtë e të lartë. Koncesionet po zbehen, por mbeten ndër më fitimprurëset. Tregtimi i energjisë ishte “ari” i ri i bizneseve, i ndihmuar dhe nga çmimet e larta në bursa, ndërsa kompanitë shtetërore humbën. Shtrenjtimi i kromit favorizoi bizneset e kësaj fushe. Turizmi po nxit biznesin e shërbimeve estetike e dentare. Të gjithë po fitojnë, me përjashtim të industrisë, që është në prag falimenti, teksa po zëvendësohet nga importet.
Nëse ka një element të dallueshëm në tendencën ekonomike të pas tranzicionit është elasticiteti i bizneseve për të përballuar goditjet, që vijnë nga të gjitha anët.
Ekonomia u rimëkëmb shpejt pas krizës së piramidave, e përballoi mirë krizën financiare në 2008-n (e ndihmuar dhe nga sofistikimi i ulët i tregjeve financiare vendase), e mori menjëherë veten pas kufizimeve të pandemisë.
Telashet nuk mbaruan. Në 2022, vendi u përball me një krizë të paprecedentë të rritjes së çmimeve të lëndëve të para e atyre finale.
Viti 2022 shënoi dhe nivelin më të lartë të inflacionit, që nga 1998-a, me 6.2% mesatarisht, që kulmoi në tetor në 8.3%, një reflektim i pasojave globale të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sërish bizneset ia dolën, teksa barra e rritjes së çmimeve në vitin 2022 duket se është mbajtur kryesisht nga konsumatorët, që kanë paguar më shumë për të blerë një produkt apo shërbim.
Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në këtë renditje, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha kanë arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2022.
Vetëm 25% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në 2022 në krahasim me vitin e mëparshëm. 54% e sipërmarrjeve në listë raportuan rritje të normave të fitimit.
Normat e fitimit bruto para taksave ishin dyshifrore (mbi 10%) për 65% të kompanive.
Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2022, ishte 174 miliardë lekë, me një rritje prej gati 50% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm, i ndikuar nga përmirësimi i rezultatit financiar të sipërmarrjeve të energjisë, ndërtimit, tregjeve financiare, industrisë së metaleve e minerale, tregtuesve etj.
Kufiri i kompanisë së 10 për nga fitimet në vlerë absolute në 2021 ishte 2.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 u rrit në 3.6 miliardë lekë. Pragu i hyrjes në renditjen e 200 në vitin 2022 ishte rreth 170 milionë lekë, nga 156 milionë lekë vitin e mëparshëm.
Sektorët që fitojnë më shumë
Sidomos ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.
Si asnjëherë tjetër në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve kishte 45 shoqëri, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, nga 34 që rezultonin vitin e mëparshëm.
Norma mesatare e fitimit të tyre është rritur vazhdimisht në katër vitet e fundit nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n, 15.9% në vitin 2021 dhe 19% në vitin 2022. Në vlerë, fitimet e 45 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën ndjeshëm me 45%, duke shpjeguar dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit.