top of page

27 mijë rrënjë kanabis e fidanë në kubikë, Policia zbulon parcelën me drogë në Gruemirë


Një parcelë e madhe e mbjellë me kanabis është zbuluar nga Policia e Shkodrës dhe Komisariatet në varësi të saj në fshatin Gruemirë-Çesme të Malësisë së Madhe. Janë sekuestruar dhe asgjësuar me djegie rreth 27 mijë rrënjë kanabis të mbjella në tokë dhe fidanë në kubikë.


“Bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i planit operacional për kontrollin e territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë konstatuar në territorin e fshatin Gruemirë-Çesme, Malësi e Madhe, në ambient të hapur, 6300 fidanë të dyshuar cannabis sativa të mbjellë në tokë, si dhe 20,300 fidanë në kubikë, që dyshohet se do të kultivoheshin në toka, në zona malore të Malësisë së Madhe.


Fidanët e mbjellë në tokë dhe në kubikë janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.


Falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur  identifikimin e njërit prej autorëve kryesorë të tentativës për kultivim të këtyre fidanëve, konkretisht shtetasin A. D., 55 vjeç, banues në fshatin Polvar, Malësi e Madhe, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” vijon.

bottom of page