Prej 24 orësh, FNSH ka zbarkuar në Rrëshen, atje ku mesditën e 26 shtatorit u qëllua për vdekje me armë automatike mbi Martin Bardhin, ndërsa të plagosur mbetën edhe 3 persona të tjerë.
E ndërsa ende nuk ka të ndaluar lidhur me krimin e rëndë, mësohet se forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës po ushtrojnë kontrolle në zona të ndryshme të qytetit, por edhe po heqin kamerat e sigurisë të vendosura pa leje, kryesisht në qendër të Rrëshenit.
Nga raportimet mësohet se këto kamera dyshohet se mund të jenë vendosur nga elementë kriminalë me qëllim mbajtjen nën kontroll të qytetit, ndërsa nuk dihet se kujt i përkasin edhe pse kanë një rezolucion të lartë dhe fushë-veprimi 360 gradë.
Policia raportohet se ka ushtruar kontrolle në subjekte private dhe lokale, ndërsa janë shoqëruar disa persona të skeduar, kryesisht si përdorues të narkotikëve.
Martin Bardhi mbeti i vrarë mesditën e 26 shtatorit, ndërsa ndodhej në lokalin e tij në shoqërinë e 3 personave, miq ose të afërm, që mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi pak metra nga komisariati i policisë, ndërsa fillimisht u trajtua si një hakmarrje mes fiseve. Por nga ky moment nuk ka të dhëna mbi autorët e dyshuar, të cilët mendohet se ishin ekzekutorë me pagesë.