top of page

3 policë të arrestuar brenda pak ditësh


Të shumta janë rastet kur punonjësit e policisë kryejnë shkelje gjatë ushtrimit të detyrës. Shpesh herë efektivët në vend se të zbulojnë vepra penale, i kryejnë vetë. Vetëm gjatë javës, 3 punonjës janë arrestuar dhe një tjetër është vënë nën hetim për shkelje të rënda.


Shkëlzen Gjonaj, u arrestua pasi dyshohet se vodhi 350 mijë lekë dhe 50 Euro në një automjet në qytetin e Shkodrës. Akti u krye teksa makina ndodhej në një lavazh.

Inspektori Gjonaj, shfaqet gjithashtu edhe në një lokal duke goditur me shqelma dhe grushte një djalë të ri. Për këto dy veprime, agjencia e mbikëqyrjes policore e arrestoi me akuzat e shpërdorimit të detyrës, vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe kanosjes. Policia e Shtetit pas publikimit të rastit, e përjashtoi menjëherë nga radhët e bluve.


Dy inspektorët e policisë Andi Çelmeta dhe Hashim Xhixha gjithashtu u arrestuan pasi morën ryshfet 100 Euro një drejtuesit mjeti. Ky i fundit ishte i infiltruar dhe punonjësit e policisë u arrestuan në flagrancë. Atyre u gjetën me vete 1400 Euro që dyshohet se i përfituan nga ryshfeti. Ata u lanë në arrest në burg nga gjykata dhe hetimet u deleguan në SPAK.


Ndërkohë nën hetim është vënë edhe një punonjës policie 58-vjeçar, i cili pengoi kolegët e tij të kryenin detyrën. Ai nuk i lejoi të bënin shoqërimin e djalit të tij në komisariat, i cili ndodhej në arrest në shtëpi dhe kishte thyer masën e sigurisë.


Tre rastet nuk janë të vetmit pasi gjatë këtij viti nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar 119 raste në prokurori, nga të cilat 34 janë me masë shtrënguese.


Ndërsa gjatë vitit të shkuar janë referuar 357 raste nga të cilat 168 me masë shtrënguese. Veprat penale që punonjësit e policisë konsumojnë janë korrupsion dhe shpërdorim detyre.


bottom of page