Sipas unifromave blu, janë arrestuar 6 pedagogë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me skandalin në universitetin 'Aleksandër Xhuvani' në Elbasan ku pedagogët kërkonin para për të kaluar studentët.
Sipas unifromave blu, janë arrestuar 6 pedagogë, ndërsa është shpallur në kërkim Edlira Gugu, pedagoge në lëndën: Letërsi për fëmijë. Në pranga ka rënë edhe sekseri Gazmend Hodaj që kryente lidhjen e studentëve me pedagogët.
Bëhet fjalë për pedagogët: Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme; Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin; Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore; Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës; Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë; Florinda Tarusha, Lënda: Filozofi e edukimit dhe Monika Hodaj, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
Policia në njoftimin e saj bëri të ditur se pedagogët kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi Gazment Hodaj.Kanë qenë studentët të cilët kanë denoncuar pedagogët e Ciklit të Ulët që merrnin para në këmbim të kalimit të provimit, të cilët janë vënë nën hetim nga Prokuroria.
Me urdhër të prokurorit të këtij qyteti, 7 pedagogët e Shkencave të Edukimit akuzohen për korrupsion dhe ndaj tyre është marrë masa detyrim paraqitje, teksa universiteti i ka pezulluar nga detyra.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nga gazetarët e emisionit investigativ, për një rast të shpërdorimit të detyrës duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe me qëllim për të përfituar shuma parash, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Teza".
Në kuadër të operacionit policor nën drejtimin e Prokurorisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. H., 49 vjeçe, B. G., 58 vjeçe, F. T., 56 vjeçe, A. Sh., 61 vjeç, O. B., 50 vjeçe, Z. G., 37 vjeçe dhe G. H., 59 vjeç.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasen E. G., 51 vjeçe, pedagoge.
Këta shtetas me detyrë pedagogë kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi G. H..
Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike"”,njofton policia.