
Drejtoresha e Operas, Abigeila Voshtina është shkarkuar nga detyra. Voshtina, e cila është njëkohësisht edhe e deleguara e Partisë Socialiste, në Njësinë nr:5, në kryeqytet, dyshohet se ka abuzuar me fondet.
Mësohet se shkarkimi i saj ka ardhur pas kontrolleve të ushtruara nga Krimi Ekonomik dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Të dy insititucionet mësohet se kanë gjetur parregullsi në financat e institucionit që ajo drejtonte, duke ngritur dyshime për abuzim financiar.
Pas kontrollit dhe raportit të KLSH-së, mësohet se rasti i abuzimit me financat e "Operas" është marrë në dorë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Sipas burimeve, shkeljet e saj me financat kanë qenë flagrante.
Vlen të theksohet se Voshtina, është akuzuar shpesh nga artistë të shumtë për emërime nepotike, shkeljet dhe abuzime financiare etj. Ndërkohë që pas zërave dhe akuzave të shumta, organet kompetentet mesa duket vepruan dhe gjetën shkeljet e akuzuara nga artistët.
Vlen të theksohet se Voshtina ka drejtuar “Operan” që nga viti 2016, dhe ky ishte mandati i saj i tretë në krye të institucionit. Mandati i saj i aktual ishte tepër i kontestuar nga shumë artistë, por kryeministri Edi Rama vendosi t’ia besonte edhe një mandat të tretë Voshtinës.
Në garën për drejtuese e TOB, Voshtina u rendit para primabalerinës Adela Muçollari, tenorit Josif Gjipali, koreografit Tomorr Kokona, trompistit Kleanthi Gjika dhe violinistit Arben Skënderi.
Ndërkohë që sot me firmën e zv.Kryeministres Belinda Balluku, që drejtonte mbledhjen e Qeverisë, Voshtina u shkarkua nga detyra.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave. Znj. Abigeila Voshtina, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, lirohet nga kjo detyrë. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.