Një grup i vogël oligarkësh kanë krijuar rrjetin e tyre në sektorin e shëndetësisë dhe ndajnë paratë e tenderëve. Artur Kadareja, Skënder Lufi, Hervin Fora, Engjëll Hoxha dhe Ermal Rizaj janë bërë bashkëpunëtorët më të ngushtë të ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Këtë herë, kompanitë e tyre kanë marrë një dhuratë prej 294 milionë lekësh, që sigurisht është ndarë mes tyre, përmes një projekti për blerje materiale mjekimi në Qendrën Spitalore “Xhafer Kongoli” Elbasan. Konkretisht, kemi dy lote të prokurimit.
Materialet blihen me tender, por mungojnë në spital
Loti i parë ka si objekt “Blerje materiale mjekimi për nevoja spitalore” me një fond limit me vlerë 120 milionë lekë (Pa TVSH). Sipas të dhënave do të blihen leukoplast, doreza, kompresa sterile, solucion pastrime dhe tek këto mjete të nevojshme, që shpesh janë në mungesë dhe qytetarët i blejnë vetë nëpër farmaci. Drejtori i spitalit, Agron GAXHO që gëzon mbështetjen dhe besimin e ministres Koçiu, në mënyrë indirekte ua faturon këto furnizime dyfish qytetarëve (njëherë përmes taksave dhe kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe më pas duke i detyruar blerë tek privati). Por jo vetëm kaq, por abuzimi me vlerën e fondit limit dhe manipulimi i tenderit krijon hapësirën e korrupsionit.
Shohim se tenderi është dhënë pa garë tek bashkimi i operatorëve “MONTAL” SHPK – “BIOMETRIC ALBANIA” SHPK, jo se ishin më të mirët, por ishin të vetmit dhe konkurruan me veten e tyre. Kjo është shkelje alarmante ligjore, aq më tepër kur përsëritet kaq shumë.
Por drejtori Gaxho dhe ministrja Koçiu që e vështron nga lart, nuk llogarisin ligjin, por përfitimin e klientëve të tyre. Open Data Albania e ka vlerësuar procedurën e prokurimit me “Red Flag”, që është shenja e riskut të korrupsionit. Zyrtari i spitalit e firmosi tenderin me pronarët e kompanive, përkatësisht Skënder Lufin dhe Artur Kadarenë, dy personazhe që njihen si të favorizuar në tendera, madje bëjnë manipulime me medikamentet kontrabandë.
Gjykata e sekuestron. Drejtori i jep paratë e ushqimit të spitalit
Drejtori Gaxho është përmendur më parë për bashkëpunim me kompani të dyshuara se pastrojnë lekë të krimit. Kujtojmë se në prag të festave të fundvitit më 30 dhjetor 2022, kreu i spitalit rajonal “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit, Agron Gaxho, rinovoi për të tretin vit radhazi kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët e spitalit të tij.
Kontrata vjetore me vlerë 23.6 milionë lekë u firmos me një kompani të vogël të tregtisë së mishit në pronësinë e Olta Sharrës, një 43-vjeçare nga Elbasani, që kishte punuar më herët në bibliotekën e qytetit.
E regjistruar si person fizik, kompania e Sharrës ofron ofron gjithashtu shërbimin e ushqimit për spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” si dhe kishte fituar tendera në tre bashki të qarkut të Elbasanit.
Por ka një problem: në kohën kur spitali rajonal i Elbasanit i rinovoi kontratën, subjekti “Olta Sharra” ndodhej prej gjashtë muajsh nën sekuestro si një derivat i dyshuar i burimeve kriminale.
Vendimi për sekuestrimin e personit fizik “Olta Sharra” u mor nga Gjykata e Elbasanit më 9 qershor 2022, si pjesë e hetimit pasuror të nisur ndaj bashkëshortit të saj, Gentian Sharra – një 48-vjeçar nga Elbasani i akuzuar për vjedhje me dhunë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vetë Sharra u arrestua në maj 2022 në kuadër të operacionit “Golden Bullet” të SPAK si pjesë e njërit prej grupeve të krimit të organizuar të denoncuara nga Nuredin Dumani – një ushtar i krimit të organizuar i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Vazhdimin historive të drejtorit do ta mësojmë nga dosja e SPAK, por nuk e kuptojmë pse lejohet kaq gjatë që të shpërdorojë fondet e spitalit.