top of page

Agron Malaj kapet mat, i fal 800 MLN lekë ish-deputeti të PD për suvatimin e një shkolle


Mbi 800 milionë lekë do t’i kushtojë banorëve të Matit suvatimi i një shkolle. Në buletinin e datë 9 tetor 2023, në Agjencinë e Prokurimeve Publike është publikuar një tender me objekt “Rikonstruksion i plotë i shkollës së mesme “Pjetër Budi” + terrene sportive”. Kjo kontratë është firmosur nga kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj, i cili ka vendosur që të xhirojë 800 milionë lekë. Bëhet fjalë për shkollën në foton më poshtë, e cila është një godinë e qëndrueshme, por sigurisht do të riparohet dhe do të duket si e re.



Dhe siç përcaktohet në tenderë në këto raste, shkollës do t’i bëhen suvatime, do të lyhet dhe do të rehabilitohet një ambient i përshtatshëm për aktivitet sportive.

Ndërkohë, vëmë re se duke skualifikuar çdo ofertë tjetër të përshtatshme, Malaj ia ka bërë dhuratë këtë tender firmës “ULZA” Sh.p.k, në pronësi të Ndue Shpanit dhe Nikolin Shpanit. Këta të fundit kishin paraqitur një ofertë me vlerë 770 milionë lekë, pra sa 73%  fondit limit, duke shkelur një nga kriteret e ligjit mbi prokurimet.



Përfituesi i tenderit

Në fakt, për Ndue Shpanin nuk ishte e vështirë të kapte një tender pa garë, kur deri më sot kompania e tij ën thuajse në çdo prokurim. Prandaj edhe ka “fituar” shumë “Red Flag” nga monitoruesi Open Data. Këto përfitime ai i ka marrë prej kohësh falë lidhjeve dhe miqve që ka si ish-deputet i PD-së. Gjatë kohës që Ndue Shpani ishte deputet i Partisë Demokratike (2005-2009), të gjitha aksionet (100%) ai ia “shiti” të vëllait Nikolin Shpanit, për shumë se 100 milionë lekë. Ndërkohë, disa vite më pas, Nikolin Shpani i kthen të vëllait 70% të aksioneve që dikur i bleu me lekë.

Vlera e këtyre aksioneve në vitin 2017 ishte plot 450 milionë lekë të vjetra. Dhe kuptohet se e gjithë kjo lëvizje me shitje dhe dhurime është bërë sa për të shmangur konfliktin e interesit, meqenëse Ndue Shpani u bë deputet. Por, tani që nuk e ka më këtë status, vepron me stilin e “Rilindjes”, që do të thotë  “Kap ç’a të kapësh”.


13 mln lekë për supervizorin

Në fakt, shpenzimet për këtë shkollë janë edhe më të larta. Kujtojmë se më datë 27 shtator të këtij viti, Malaj firmosi një tjetër tender me objekt “Mbikëqyrje të punimeve për investimin me objekt: “Rikonstruksion i plotë i shkollës së mesme “Pjetër Budi” + terrene sportive”, me fond 10 milionë lekë. Dhe këto miliona ikën vetëm për lotin e parë.




Sepse në të njëjtën ditë është firmosur tenderi me të njëjtin objekt për loti 2. Këtë herë Malaj i ka shtuar supervizorit edhe 3 milionë lekë të tjera. Kështu 13 milionë lekë ikin vetëm për një person që mbikëqyr procesin e lyerjes dhe suvatimit të një shkolle.

Theksojmë se ky tender i fundit është dhënë gjithashtu pa garë. Ç’ka na çon në përfundimin se i gjithë projekti është një aferë për abuzim dhe përvetësim nga fondet e Arsimit.











bottom of page