Në 24 Gusht 2023, abonentët e kompanisë së telefonisë celulare, “One”, u gjendën pa pritur dhe pa asnjë paralajmërim në mungesë totale të shërbimit.
Ky ishte momenti më kulminant i një sjelljeje aspak rigoroze dhe normale të kompanisë me klientët e saj, pas një serie të mëparshme të ndërprerjes së sinjalit për minuta, madje edhe për orë të tëra.
Klientët nuk arritën të merrnin asnjë përgjigje serioze nga kompania “One” për këtë ndërprerje të plota të sinjalit. Zyrat call-center të shoqërisë justifikoheshin përballë klientëve të shqetësuar se “po kryen përmirësime të sistemit dhe sinjali do të kthehet shpejt”.
Pas këtyre përgjigjeve evasive, abonentë të shumtë iu drejtuan Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të ushtruar detyrimin e tij për kontrollin mbi operatorin ekonomik të telefonisë celulare.
AKEP-i, i cili kishte nisur më herët, në maj të këtij viti, një inspektim mbi problematikat e mëparshme të kompanisë ‘One”, bashkoi në planin e tij të kontrollit edhe ankesat e 24 gushtit, të mbërritura nga qytetarët.Në përfundim të inspektimit, AKEP vendosi të gjobisë kompaninë “ONE” shpk me 100 milionë lekë të vjetra për disa lloje shkeljesh, ku përfshiheshin edhe ato që lidhen me ndërprerjen e sinjalit.
Gjoba 100 milionë
Në 24 Tetor 2023, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi të gjobisë shoqërinë ‘One” shpk me 10 milionë lekë të reja, për shkelje të disa detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për komunikimet elektronike dhe postare”.
Një nga pikat që penalizoi shoqërinë është pikërisht mungesa e shërbimit të plotë, më saktësisht ndërprerja pa asnjë njoftim e sinjalit për abonentët.
Para se të arrinte në vendimin penalizues, AKEP-i zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësuesin e kompanisë celulare.
Lidhur me ndërprerjen e herë pas hershme të sinjalit, por sidomos për ngjarjen e datës 24 gusht 2023, ku i gjithë sistemi i komunikimit i “One” doli jashtë loje, përfaqësuesi i kompanisë deklaroi se kjo vinte për shkak të ndryshimeve në aparatura, që ndodhën pas shkrirjes së kompanive ‘One” dhe “Albtelekom” në një të vetme.
Por, ky argument u vlerësua tërësisht i pabazuar nga Këshilli Drejtues i AKEP-it.
Në vendimin e gjobës, AKEP-i deklaron, ndër të tjera:
“Vendimi për bashkimin e shoqërive dhe afatet e zgjedhura për implementimin e tij janë vendosur në mënyrë sovrane nga ana e sipërmarrësit ONE Albania sh.a. Në mënyrë të natyrshme, nga shoqëria e re e bashkuar pritet një përmirësim i cilësisë së shërbimit dhe, në asnjë rast, procesi i bashkimit nuk mund të përbëjë një rrethanë lehtësuese për vlerësimin e masës së dënimit”.
Pra, sipas AKEP-it, vendimi për bashkimin me “One” me ‘Albtelekom” ishte i kompanisë dhe është kryer me qëllimin për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Në asnjë rast, bashkimi i dy kompanive nuk do të justifikonte dëmtimin apo ndërprerjen e shërbimit për klientët e saj.Për më tepër që problemet me cilësinë e shërbimit ishin identifikuar edhe më herët nga Grupi i Inspektimit i AKEP-it.
Në një raport të përfunduar paraprakisht në 25 Maj 2023, AKEP-i kishte rekomanduar se “Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., duhet të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja dijeni e këtij Vendimi përfundimtar inspektimi”.
Pavarësisht këtij rekomandimi, rezulton se kompania ‘One” nuk është angazhuar për rritjen e cilësisë së shërbimit.
Në relacionin përfundimtar të datës 26 Shtator, mbi të cilën u mbështet edhe gjoba 100-milionëshë, Grupi i Inspektimit i AKEP-it shkruan se: “Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., duhet të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga vendimi përfundimtar i inspektimi”.
Duket qartë që rekomandimi i AKEP-it për “One”, lënë në Shtator është thuajse i njëjtë me atë që iu la kompanisë celulare në Maj të këtij viti.
AKEP-i konstatoi se rekomandimet e saj për rritjen e cilësisë së shërbimit për abonentët nuk janë marrë parasysh dhe për këtë arsye vendosi që, si masë paraprake, penalizimin e “One” me gjobë 100 milionë lekë të vjetra.