Një autobus është aksidentuar pasditen e kësaj të diele në Tiranë. Mësohet se në aksident është përfshirë autobusi i linjës së Lundrës, pasi shoferi Gentjan Qosja, 42-vjeç ka humbur kontrollin.
Shkak për aksidentin, dyshohet se ka qenë problemi në sistemin e frenimit dhe si pasojë shoferi ka devijuar në një xhep, ku ndodheshin disa mjete të parkuara, dy prej të cilave i ka marrë para.
Një nga mjetet është përplasur në një shtyllë dhe për pasojë autobusi është përmbysur në rrugë. Ndërkohë mësohet se shtatë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Theksojmë se kjo nuk është hera e parë që autobusët e Tiranës përfshihen në aksident. Jo më larg se një muaj më parë autobusi i linjës së Unazës u aksidentua në zonën e “Shallvareve”, ku mori para disa mjete, duke shkaktuar disa të plagosur.
Ndërsa një vit më parë autobusi “Green Line” i linjës së “Unazës” u përplas me një makinë dhe përfundoi në lumin e Lanës.
Në atë kohë u plagosën pesë qytetarë dhe urbani përfundoi në lumin Lana bashkë me shoferin e një makine tjetër, të cilin autobusi e mori përpara. Paraprakisht, u raportua se urbani kishte marrë shpejtësi vetë dhe nga xhirot shkaktoi aksident e përfundoi në lumë.