top of page

AKTINOLOGU I NJË EPOKE MANOLIS ANAGNOSTAQIS (Selanik, 10 mars 1925 - Athinë, 23 qershor 2005)


Në brezin e parë të poetëve grekë të pasluftës së dytë botërore, zë një vend në krye. I paepuri i rradhë së parë, i palëkunduri në idetë dhe pasionet e jetës, i pasionuari pas poezisë së të drejtës, ashtu siç e mendonte ai, besim që nuk e tradhtoi kurrë - ky ishte dhe mbeti në histori.

E filloi jetën në kryeqytetin kozmopolit të Veriut grek, Selanikun, ndonëse origjinën familjare e kishte nga fshati Rustika i Rethimnos. Aty studioi mjekësi. Ishte i vëllai i shkrimtares së njohur të teatrit, Lula Anagnostaqi, por nuk e tërhoqi kurrë skena. Për të tjera skena ishte i prirur.

Gjatë pushtimit fashist u përfshi në lëvizjen majtiste kundër okupatorëve. Kryesisht me idetë dhe shkrimet e tij. Gjatë periudhës 43-45 ishte kryeredaktor i periudikut “Ξεκίνημα” - Nisja, që e nxirrte Silogu Kulturor i Universitetit të Selanikut dhe nxiste rezistencën antifashiste ndër të rinjtë dhe të rejat studente, me qëllim të ishin avangarda e luftës kundër okupatorit. Por edhe më vonë, gjatë Luftës Civile, mbajti aktivisht anën e demokratëve. U ndoq dhe u persekutua për këtë. U burgos më 1948, kurse një vit më vonë u dënua me vdekje nga një gjykatë e posaçme, që ndante llogaritë e fundit midis fitimtarëve dhe të mundurve në këtë luftë të tmerrshme vëllavrasëse. Por nuk qe shuar kandili i tij. E shpëtoi amnistia e përgjithshme e vitit 1951. U lirua nga burgu dhe, siç thotë në një poezi të asaj kohe, “hyri në një burg tjetër, të pashpirt dhe më të errët se i pari...” Kishte filluar një etapë e re në luftën e tij për një botë tjetër, që mbase nuk do ta shijonte kurrë.

Gjatë rrjedhës së jetës, në vitin 1956 shkoi për specializim mjekësor në Vjenë. Kur u kthye shërbeu si aktinolog, një periudhë në Selanik dhe prej vitit 1978 u shpërngul përgjithmonë në Athinë.

Kur “revolucioni” i tij i ideve u pa më së fundi se kishte përfunduar, nuk iu nda pasionit tjetër të madh të jetës, poezisë. Shkroi në vazhdim të njejtën poezi, atë të veçantën e rrezistencës dhe flamurtarmbajtëses në luftën e pambaruar për progresitet, të drejta njerëzore dhe paqe. Kjo ishte beteja e re që e ftoi, së cilës nuk iu shmang sa jetoi. Kanë mbetur monumentale vargjet e tij epitafike:

“Asnjë varg nuk mobilizon sot masat,

asnjë varg nuk përmbys sot regjime.

Paçka.

I pamundur, trego vetëm duart. Gjyko, të të gjykojnë.”

U amëshua në qershorin e 2005-sës dhe u përcoll tek të pavdekshmit e artit poetik helen me dashurinë e një brezi të tërë bashkëluftëtarësh. Atje mbetet ai që ka qenë, i paepuri dhe poetiku i rezistencës demokratike. Aktinologu i një epoke.





POETIKA

- Tradhtoni përsëri Poezinë, do më thuash,

Shprehjen më të shenjtë të Njeriut.

E shfrytëzoni prapë si mjet, në shërbim

të qëllimeve tuaja të errta.

Në dije plotësisht të dëmit që shkaktoni,

me shembullin tuaj tek të rinjtë.

- Çfarë nuk tradhtove ti, të më thuash,

ti dhe të ngjashmit e tu, vit pas viti,

një për një gjërat tuaja duke shitur

tek bursa botërore dhe tregu i lagjes suaj.

Dhe mbetët pa sy për të shikuar, pa veshë

për të dëgjuar, me gojë të kyçura dhe nuk flisni.

Për çfarë të drejtash njerëzore po na ftoni?

E di: deklarizma dhe teorizma, do më thuash.

E, po pra! Deklarizma dhe teorizma.

Si me gozhda duhet të gozhdohen fjalët,

të mos i marrin erërat.


KËTO VARGJE

Këto vargje mund të jenë dhe të fundmet,

të fundmet nga të fundit që do të shkruhen.

Sepse poetët me mend nuk jetojnë më,

ata që do të flisnin vdiqën të gjithë të rinj.

Këngët e tyre të dëshpëruara u bënë zogj

në një tjetër qiell ku ndrin një diell i huaj.

U bënë lumenj të egër dhe drejt detit rendin,

ujrat e tyre nuk mundesh t’i dallosh.

Tek këngët e dëshpëruara mbiu një zëmbak,

nga lëngjet e tij të lindim ne të rinjtë.


ÇDO MËNGJES

Çdo mëngjes

anullojmë ëndrrat,

nddërtojmë me kujdes fjalët,

rrobat tona janë fole prej hekuri.

Çdo mëngjes

përshëndesim miqtë e djeshëm,

netët zmadhohen si fizarmonika.

- Tinguj, meraqe, puthje të vdekuara.

(Numërime të parëndësishme.

- Asgjë. Fjalë vetëm për të tjerët.

Po ku mbaron vetmia?)


EPILOG

Mbi të gjitha, jo iluzione.

Shumë-shumë, t’i nënkuptosh si dy prozhektorë

të zbehtë mes mjegullës,

si një kartelë me miqtë e munguar,

me të vetmen fjalë: rroj.

“Sepse, - siç tha dikur me të drejtë edhe miku im, Tito, -

asnjë varg nuk mobilizon sot masat,

asnjë varg nuk përmbys sot regjime.”

Paçka.

I pamundur, trego vetëm duart. Gjyko, të të gjykojnë.

_____

Përgatiti

dhe shqipëroi poezitë:

Grigor Jovani, Athinë, mars

2023

bottom of page