Albert Halilaj i është futur me kokë fondeve të shkollave në Kukës! Fshatrat e Kukësit janë ato zona ku dëbora nisë më shpejt dhe shkrin më ngadalë, ndërsa i ftohti ka filluar tashmë. Në shumë fshatra nxënësit udhëtojnë gjatë në këmbë për të shkuar në shkollën më të afërt.
Një prej tyre është gjimnazi “Bajram Abdiu” në Bicaj i cili ndodhet mes maleve dhe mbledh aty nxënës nga disa fshatra. Duke qenë se ka shumë vite që është ndërtuar dhe kurrë nuk i është bërë restaurim, Halilaj e ka futur në hartën e planeve këtë vit. Por, është kujtuar me vonesë!
Më datë 24 tetor ai ka nënshkruar tenderin me objekt “Rehabilitim i gjimnazit “Bajram Avdiu”,Bicaj”, për të cilin ka menduar të shpenzojë 600 milionë lekë.Nëse me këto para Halilaj do të bënte një rikonstruktim rrënjësor të shkollës dhe do ta kishte bërë gati për këtë vit të ri shkollor do duhej t’i thoshim “Bravo të qoftë”! Por, jo për fat të keq edhe ky tender i bashkohet aferave të tjera të Halilajt.
Në dokument bie menjëherë në sy “Flamuri i Kuq” që i është dhënë për mungesë konkurrence të drejtë! Dhe jo se nuk ka pasur kandidatë për këtë tender por vetë Halilaj ka preferuar të shkelë rregullat. Madje shohim që 11 firma të njohura kanë paraqitur interes për të zhvilluar këtë projekt. Por, 10 prej tyre janë përjashtuar nga gara, për t’i lënë kështu rrugën hapur ofertës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve “DENOLT” – NDREGJONI SHPK me vlerë 500 milionë lekë.