Safet Gjici është burg, por miqtë e tij vazhdojnë të marrin tendera në Bashkinë e Kukësit. Kështu, kryetari që e zëvendësoi në Bashkinë Kukës, Albert Halilaj, po ndjek të njëjtën agjendë, me po ata biznesmenë. Në këtë grup përfshihet edhe një nga përfituesit e mëdhenj të tenderave që firmoste Safet Gjici, Ylber Elezi, pronar i “Marsi” shpk.
Më konkretisht, më datë 6 shtator 2024, Bashkia Kukës ka hapur garën për tenderin me objekt ‘Rikonstruksion i rrugës Topojan’, për të cilin janë vënë në dispozicion afro 1.4 milionë euro pa llogaritur TVSH. Financimi parashikohet të bëhet nga buxheti afatmesëm 2024-2026.Sipas të dhënave të tenderit, gara ka qëndruar e hapur deri më datë 23 shtator 2024 dhe ka patur mjaftueshëm interes, për të ndjekur hapat në vijim sipas direktivave të ligjit. Por Halili i ka shkelur këto rregulla. Nga 11 oferta që u dorëzuan, Halilaj i ka skualifikuar 10 prej tyre menjëherë. Për 2 nga kompanitë komisioni shprehet se janë skualifikuar për shkak se kanë ofertë “anomalisht të ulët”, për një tjetër firmë tregon se është angazhuar në një tjetër projekt, ndërsa njëra ka mungesë dokumentacionesh, por për 6 të tjerat të cilat kishin oferta më të mira nuk është dhënë asnjë argument për skualifikimin.Me këto manovra Halilaj ka favorizuar ofertën e dorëzuar nga bashkimi i operatorëve MARSI SHPK & ARBOTEC SHPK me vlerë 1.2 milionë euro, që ishte një nga më të shtrenjtat.
“Marsi” Shpk është kompania e Ylber Elezit nga Kukësi, ndërsa “Arbotec” është një subjekt me kapital nga Kosova, që ka rol mbështetës në tenderNë mungesë konkurrence, kompania e Ylber Elezit është shpallur fituese dhe më 23 tetor 2024 është bërë publike kontrata. Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e Kuq”, si shenjë e riskut të korrupsionit.
Nga ana tjetër, duke bërë një krahasim, në kohën e Gjicit, për ndërtimin e një rruge fshati, Marsi merrte katër herë më pak se sot. Kështu më 15 qershor 2022, ish-kryetari Gjici i dha Elezit tenderin me numër reference REF-31037-05-27-2022 dhe me objekt “Ndërtimi i rrugës Kolsh (gjatësi 1543 metra)”. Gjici ka shpallur fituese firmën që ka bërë ofertën më të lartë, kur dy kompani të tjera propozuan 100 milionë lekë më pak. Kontrata ishte mbi 300 milionë lekë ( pa TVSH).
Ndërsa, kryetari i ri po i bie me top buxhetit duke i dhënë fondin 1.4 milionë euro të njëjtës firmë sërish për një rrugë fshati..