top of page

Albpetrol nxjerr në ankand rreth 160 mijë tonë naftë bruto

Kompania publike prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në vend Albpetrol ka hapur për këtë vit ankandin e parë për shitjen e naftës bruto.

Në një njoftim të pak ditëve më parë, kompania bëri të ditur se janë 159,551 tonë naftë bruto që do të kalojnë te kompanitë e interesuara pas zhvillimit të ankandit dhe përzgjedhjes së fituesit.

Ankandi parashikohet të zhvillohet këtë javë (data 14 qershor) ndërkohë që afati i evadimit do të jetë 12 muaj nga fillimi i tij.

Në shpalljen e ankandit, Albpetrol ka bërë të njohura edhe specifikimet mbi mënyrën sesi do të llogaritet vlera fillestare e shitjes së naftës.

“Në kushtet FOB- Çmimi minimal fillestar për njësi është: 77.26 % e Çmimit Brent + K

Në pikat e lëvrimit- Çmimi minimal fillestar për njësi është: 77.26 % e Çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K

– 77.26 % është koeficienti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, % e squfurit).

– Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik.

– 4.04 USD/bbl është kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim)

K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K˃0)” thuhet në dokument.

Vendndodhja e naftës bruto sipas specifikimit që ka bërë Albpetrol sha Patos është në pikat e lëvrimit: Stacioni Usojë, Stacioni Visokë, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Kjo është procedura e parë për këtë vit sa i takon shitjes së naftës teksa ankandi i fundit është zhvilluar në korrik 2023.

Në vitin 2023 sipas të dhënave të vetë Albpetrol Kompania prodhoi rreth 69 mijë tonë naftë në vitin që lamë pas, një shifër kjo rreth 3 për qind më e ulët se në vitin paraardhës.

Të paktën 47.7 për qind e prodhimit sipas shifrave zyrtare të vetë kompanisë është siguruar nga vendburimi Gorisht-Kocul. Në këtë vendburim në 2023 u prodhuan 32.9 mijë tonë naftë.

Sipas Albpetrol vendburimi ka gjithsej 284 puse vertikale ne inventar, prej të cilëve 142 puse janë aktiv për naftë e gaz.

Vendburimi i Kuçovës është i dyti për nga pesha në prodhimin e vitit 2023 ku rezulton se janë 16.4 mijë tonë naftë.

Kjo sasi përben 23.9 për qind të totalit. Vendburimi tjetër është ai Cakran-Mollaj me një prodhim prej 12 mijë tonësh në vitin 2023 ndërkohë që vendburimi i fundit është ai i Patosit me 3.8 mijë tonë naftë

bottom of page