top of page

Albpetrol shpall ankand 100 milionë dollarë për shitje nafte

Kompania e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend ka hapur ankandin e parë për këtë vit për shitjen e një sasie prej rreth 160 mijë tonë naftë bruto. Sipas dokumentave të shpallura në Agjencinë e Prokurimeve Publike, nafta të cilën Albpetrol e përfton nga prodhimi i vet, por edhe nga kompanitë koncesionare do të nxirret në shitje me një çmim dysheme sa 78.18 % e Çmimit Brent plus një koeefiçent K, në kushtet Free On Board, FOB.

Koeeficenti K është çmimi me të cilin garojnë kompanitë në ankand, ku blerësi që ofron koefiçentin më të lartë shpallet fitues. Ndërsa në pikat e lëvrimit, çmimi minimal fillestar për njësi është 77.26 % e Çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K.

Në formulën dysheme, Brent përfaqëson çmimin në USD/fuçi i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, -4.04 USD/fuçi është kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim), ndërsa K është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K˃0)” thuhet në dokumentet e ankandit.

Sipas dokumentave të ankandit, vendndodhja e naftës brut është në Albpetrol sha Patos, përkatësisht në pikat e lëvrimit: Stacioni Usojë, Stacioni Visokë, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Aktualisht çmimi i naftës bruto luhatet rreth nivelit 625 dollarë për tonë, që do të thotë se përmes këtij ankandi, Albpetrol pritet të arkëtojë minimalisht 100 milionë dollarë.

bottom of page