top of page

Alibeajt i mbetet vetëm vula dhe 1 milion Euro

Deputetët e grupit që drejton firuan një nga një derisa humbi kuorumin, kandidatët i ikën një nga një nga gara dhe tani e braktisën edhe dy nga shtyllat kryesore të asaj që mund të quhet Partia Demokratike zyrtare.

Por çfarë ka ndodhur?

Sot PD mori një goditje shumë të fortë. Prej disa ditësh në hije, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shfaq sot. Në një postim në Facebook, deputeti demokrat njoftoi se ishte në Vaun e Dejës në krah të kandidatit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, Zef Hila.

Në këtë bashki, PD zyrtare me sekretar të përgjithshëm Bardhin ka vendosur kandidate Klomentina Drinin. Megjithatë Bardhi ka dalë kundër kandidates së partisë që drejton duke mbështetur ish-deputetin Zef Hila, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Këtu nuk bëhet fjalë për një kandidat apo një bashki, por faktin që numri dy i PD-së “euroatlantike”, që është pozicionuar kundër “zjarrvënësit” sikur e ka cilësuar Yuri Kim Sali Berishën, mbështet kandidatin e këtij të fundit. Bardhi doli kundër partisë që drejton. Mesazhi është i qartë dhe i fortë kundër Enkelejd Alibeajt. Gjërat nuk janë më si dy apo tre javë më parë.

Por kjo nuk është “shuplaka” e vetme e fortë që ka marrë kryetari i komanduar i PD-së. Pa futur në mes mashtrimin e Lulzim Bashës që premtoi se do të dilte në fushatë, Alibeaj humbi edhe mbështetjen e Jorida Tabakut. Një zë i fortë kundër qeverisë socialiste me shifra dhe fakte është tërhequr nga fushata, të paktën publikisht. Asnjë dalje publike në krah të kandidatëve të PD-së zyrtare.

Enkelejd Alibeaj u justifikua pak ditë më parë se ndodhej jashtë vendit, por “dielli nuk mbulohet me shoshë”. Nga një kërkim i thjeshtë në Facebook-un e saj rezulton se ka vetëm denoncime kundër qeverisë, asnjë takim elektoral, asnjë emër kandidati, asnjë thirrje për të votuar një kandidat të caktuar. Momentalisht PD të sigurt ka vetëm Enkelejd Alibeajn, Roland Bejkon, vulën dhe 1 milion Eurot që i dha KQZ.

bottom of page