top of page

“Alo, Policia…dëgjohet një zonjë që dhunohet”, 112-a s’përgjigjet, Komisariati Dixhital “offline”

Një fakt i tmerrshëm është zbuluar gjatë auditimit nga KLSH në sallën e komandimit të Drejtorisë së Policisë: Telefonata e regjistruar në numrin 112 e një zonje që po dhunohej nuk mori as përgjigje as ndihmë. Policia nuk e trajtoi këtë telefonatë. Ngjarja ndodhi në 12 gusht 2022, disa minuta pas mesnate, në Tiranë.

Sipas rregullores, nëse operatori merr një telefonatë dhe nga ana tjetër nuk përgjigjet njeri apo bie linja, punonjësi identifikon numrin thirrës, duke bërë edhe regjistrimet e të dhënave në sistem dhe i telefonon për të marrë informacion mbi arsyen e thirrjes.

Nga auditimi është konstatuar se, në rastet kur qytetarët kanë telefonuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe nuk është arritur komunikimi me ta (p.sh. operatori i sallës operative është prezantuar, por qytetari nuk i përgjigjet), megjithëse identifikohet numri thirrës, ngjarja nuk rezulton e regjistruar në sistem. Madje me mbylljen e telefonatës thirrësi nuk është marrë nga salla operative, për të mësuar arsyen e telefonatës. Grupi i auditimit ka veçuar disa shembuj të tillë, të identifikuara në DVP Tiranë, paraqitura në tabelën më poshtë, nga ku do të veçonim rastin nr. 11 (në regjistrimin audio dëgjohet një zonjë e cila po dhunohet në kohën e telefonatës).

Në sistemin e ngritur në DVP Tiranë kryhen regjistrimet audio të telefonatave që vijnë në numrat edhe nga numrat e tjerë të PSH: 129 numri tjetër i PSH dhe 126 numri i Policisë Rrugore. Gjithashtu, priten edhe telefonatat e ardhura për shërbimin e urgjencës mjekësore, apo zjarrfikësen. Këto përcillen në njësinë e Koordinimit të Urgjencës Mjekësore, apo tek strukturat e zjarrfikëses.

Gjatë vëzhgimit në terren rezultoi anomali në disa raste kur telefonatat kundrejt numrit 112 nga rrethinat e qytetit të Durrësit, realizoheshin nga një telefon me SIM kartë të operatorit Vodafone. Në këtë rast në ekranin e telefonit të sallës operative nuk shfaqet numri i thirrësit, por shfaqet termi “I padisponueshëm”. Këto telefonata nuk hapen nga operatorët e sallës, pra nuk vijohet me trajtimin e ngjarjes.

Rezultoi nga vëzhgimi në terren se, në mungesë të sistemit teknologjik për administrimin e thirrjeve, aktualisht telefonatat audio nuk regjistrohen. Po ashtu, operatorët e sallës së komandimit në DVP Tiranë nuk arrijnë gjithmonë të plotësojnë sistemin e menaxhimit të çështjes me të dhënat e telefonatës.

Në DVP Tiranë, sistemi i numrit unik 112 regjistron telefonatat ofron mundësinë për të dëgjuar thirrjet e ardhura. Sistemi ruan të dhënat e bisedës audio, datës së telefonatës, kohëzgjatjen dhe

orën e telefonatës. Gjithashtu sistemi gjeneron të dhëna statistikore për punën e çdo punonjësi.

Megjithatë sondazhi i KLSH gjeti se mbi 20% e rasteve të raportimeve të qytetarëve nuk rezultojnë të regjistruara në sistem. Të gjithat telefonatat e regjistruara në sistem duhet të hidhen manualisht gjatë telefonatës nga operatori i sallës në sistemin e menaxhimit të çështjes. Pavarësisht kësaj janë evidentuar raste kur ky hap nuk është kryer. Nga 16 telefonata të shqyrtuara nga grupi i auditimit në sistemin kompjuterik Live 2.0 kanë rezultuar 6 raste të telefonatave të qytetarëve të cilat nuk janë regjistruar në sistem.

Janë identifikuar 11 raste kur komunikimi me qytetarin nuk është arritur, telefonata nuk është regjistruar në sistem dhe telefonuesi nuk është rimarrë nga salla operative.

Kaos numrash për të komunikuar me policinë

Komunikimi i qytetarëve me policinë është akoma më i vështirë në rrethe, pasi numri unik 112 funksionon vetëm në Tiranë dhe në disa rrethina të saj.

Në sallën e komandimit të Policisë Durrës priten telefonata nga qytetarët në 6 telefona në numrat e emergjencës (112, 129, 126) dhe numrat me pagesë të publikuar në faqen web të DPPSH-së. Në sallën e komandimit në DVP Shkodër, gjatë një turni, 2 punonjës (operatorë) menaxhojnë njëkohësisht 7 celularë/telefona.

Në strukturat e sallave operative të cilat presin telefonata nga qytetarët vërejmë mos plotësimin e stafit me numrin e parashikuar të punonjësve.

Sipas tabelës, në Tiranë, struktura nuk rezulton e plotë pasi nga limiti organik i miratuar me 85 punonjës, aktualisht janë të plotësuara vetëm 74 pozicione pune.

Kur do të vihet në punë 112-a?

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të ngrejë grup pune për të kryer një analizë të detajuar për shpenzimet, donacionet dhe realizimin e procesit hap pas hapi të ngritjes dhe funksionimit të sistemit të numrit unik 112 në drejtoritë vendore të policisë dhe t’i përcillet Ministrit të Brendshëm për informim”. Kështu rekomandohet në shkresën urgjente të KLSH, e cila ka vendosur afatin e kryerjes së kësaj detyre brenda datës 30 qershor 2024.

Funksionimi i numrit 112 pritet të shtrihet në DVP Durrës, DVP Fier, DVP Gjirokastër, DVP Shkodër, dhe Komisariatin e Policisë Sarandë. Për zonat e tjera, numrat pa pagesë për shërbimin e Policisë së Shtetit funksionojnë me telefona celularë me kartë SIM.

Sa u ka kushtuar taksapaguesve 112-a?

Ndërkohë paratë e taksapaguesve derdhen dhe sallat e komandimit nuk u përgjigjen qytetarëve. Për ngritjen dhe funksionimin e numrit unik 112 vlera e kontratave të nënshkruara për realizimin e projekteve të investimeve në DVP – të për periudhën 2018 – 2022 ka qenë 1,617,358 mijë lekë. Për periudhën 2018 – 2022 janë planifikuar punime në vlerën totale prej 894,403 mijë lekë. Kjo vlerë është realizuar në masën 98%, ose 879,362 mijë lekë, çka do të thotë që niveli i realizimit në

total i këtyre angazhimeve financiare për vendosjen në funksion të numrit unik të emergjencave është 54%.

Konstatohet se ende nuk janë përfunduar punimet për vendosjen e plotë në punë të sallave operative për Numrin Unik të Emergjencave 112, pasi në disa prej tyre vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e godinave dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese.

Më konkretisht kanë përfunduar punimet në DVP Durrës dhe Shkodër sa i takon rikonstruksionit të godinave dhe sallave operative, por ende nuk janë pajisur me pjesën e mbetur të hardware dhe software për të vendosur në funksionim të plotë numrin Unik 112 njësoj siç është edhe në DVP Tiranë. Është në proces zbatimi i rikonstruksionit të Komisariatit të Sarandës, DVP Elbasan dhe DVP Dibër. Ende nuk ka nisur zbatimi për DVP Fier dhe Gjirokastër.

Një fakt tjetër që të lë gojëhapur është se Njësia e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore nuk ka përdorur asnjëherë numrin 112 si numër unik. Ajo aktualisht përdor numrin 127, i cili është edhe numri identifikues i Urgjencës së Tiranës.

Natyrisht, që me këtë lloj menaxhimi që ka policia, ky numër unik do të hajë shumë lekë deri sa të vihet në funksionon.

Investime të tjera parashikohen të kryhen në afatin kohor 2023 – 2026, me kosto të përafërt prej 30 milionë euro, me institucion përgjegjës Agjencinë Kombëtare e Mbrojtjes Civile (Ministria e Mbrojtjes), dhe institucion kontribuues Ministrinë e Brendshme dhe ministritë e tjera të linjës. Ky proces i nisur në vitin 2014, ende rezulton i papërfunduar.

Komisariati Dixhital” jashtë funksionit

Nga verifikimi i kryer konstatohet se, aplikacioni “Komisariati Dixhital” aktualisht nuk është në funksion, për shkak të sulmeve kibernetike të vitit të kaluar. Ky aplikacion ka funksionuar pa ndërprerje nga viti 2016 deri më datë 14 korrik 2022 e në vazhdim. Gjatë kohës kur ky aplikacion ka qenë plotësisht në funksion ka pasur raportime të shumta nga qytetarët. Për periudhën 2020 –2021 raportimet në total kanë qenë 106,898, përkatësisht 47,732 raste për 2020 dhe 59,166 raste për 2021.

Policia nuk i përgjigjet as “Bashkëqeverisjes”

Nga auditimi i Platformës së Bashkëqeverisjes është konstatuar se në trajtimin e ankesave që vijnë nga kjo rrugë, Policia e Shtetit ka tejkaluar afatet ligjore. Koordinatori i bashkëqeverisjes në Polici nuk arrin të gjithmonë identifikojë saktësisht strukturën përgjegjëse për trajtimin e ankesës. Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë nuk ka caktuar akoma anëtarin zëvendësues për trajtimin e rasteve të platformës së bashkëqeverisjes. Ndërsa indiferencën totale e tregon Drejtoria e Standardeve Profesionale në Polici, që nuk i rishqyrton ankesat e përsëritura në platformën e bashkëqeverisjes.Në vendngjarje 10 orë me vonesë!

Telefonatat në numrat e vendosur në dispozicion nga Policia e Shtetit janë kanali më i përdorur i komunikimit nga qytetarët për të kërkuar shërbimet e Policisë së Shtetit, për të përcjellë raportimet e tyre, apo ankesat. Përgjatë periudhës 2020 – 2022 vihet re një rrije e vazhdueshme e telefonatave nga 613,565 telefonata në 2020 në 1,376,710 në 2022

Koha e synuar e reagimit policor është 13 minuta. Referuar të dhënave të regjistruara në Sistemin e Menaxhimit të Çështjes, ka rezultuar se përgjithësisht strukturat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje në një afat kohor më të gjatë se 13 minuta nga momenti i marrjes së telefonatës nga qytetarët, shpesh herë edhe 10 orë me vonesë.

bottom of page