top of page

Altin Dumani: Deri tani 150 milionë euro të konfiskuara dhe sekuestruara

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, deklaroi sot se vlera e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro deri tani.

Në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, që u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali si dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, Dumani u shpreh se SPAK është i përkushtuar për të vijuar punën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.



Këto 5 vite që prej nisjes së funksionimit të SPAK, theksoi Dumani, kanë dëshmuar se SPAK ka kapacitetet dhe aftësitë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj subjekteve të ndryshme, pavarësisht profilit të tyre politik apo publik, si dhe kundër profileve të larta të krimit të organizuar.

Po të shikosh larminë e subjekteve për të cilët kemi arritur të ngremë akuza, i kemi në hetim, apo kemi përfunduar me një vendimmarrje, e tregon qartë këtë.

Ne shikojmë zyrtarë të niveleve të larta në rang ish-zv/kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të të gjitha niveleve, punonjës policie të nivelit të lartë krerë bashkish, ish-kryetarë bashkish.

Këto duhen parë si tregues, shenjë se SPAK po maturohet dhe po rritet dhe është në gjendje jo vetëm nga pikëpamja e përdorimit të mjeteve e teknologji me qëllim sigurimin e provave e ngritjen e akuzave penale, por për të pasur në fund një vendim fajësie që tregon edhe një proces penal të suksesshëm”, tha Dumani.Ai foli për rezultate të prekshme edhe në luftën kundër krimit të organizuar, ku janë proceduar penalisht personazhe që deri dje as nuk mendoheshin të prekeshin. Kjo sipas tij, falë edhe bashkëpunimit me agjencitë partnere.

Jashtë fokusit të SPAK, tha Dumani, nuk ka mbetur as goditja e pasurisë së vënë nga krimi, falë edhe legjislacionit të mirë në dispozicion.

“Kemi arritur të sekuestrojmë e konfiskojmë si produkte të veprës penale apo pasuri me origjinë kriminale, vlera që shkojnë deri në 150 milionë euro dhe diversiteti i pasurive apo aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është shumë i larmishëm”, theksoi ai.

Por, shtoi Dumani, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë institucionale vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë civile në veçanti.

“Shoqëria civile është një partner i rëndësishëm përballë presioneve të mundshme nga pushtetet e tjera”, tha ai.

Sipas tij, pavarësia institucionale është kushti themelor për suksesin e SPAK. “Ajo duhet të mbrohet e forcohet në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi Dumani.

Gjithashtu, Dumani deklaroi se Shqipëria ka legjislacion të mirë sa i takon ndjekjes penale, por theksoi ai, gjithashtu SPAK ka garancitë kushtetuese dhe ligjore që të ushtrojë në mënyrë të pavarur, të pandikuar, funksionet e saj.

“Kam parasysh pavarësi të jashtme nga pushtetet e tjera dhe pavarësi të prokurorëve për të ushtruar detyrën e tyre për ndjekjen penale”, deklaroi ai.

Njëkohësisht Dumani theksoi se prioritet është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

“Përmasat që ka marrë krimi dhe korrupsioni, duke qenë se një pjesë e parave tranferohen jashtë vendit, e bën jetike domosdoshmërinë për bashkëpunim me agjencitë homologe të vendeve të rajonit, BE-së dhe përtej. Kemi krijuar aktualisht 35 skuadra të përbashkëta hetimore”, tha ai.

bottom of page