Mjafton një shëtitje në zemër të Romës për të kuptuar se e meriton vërtet të quhet Qytet i Përjetshëm. Historia e saj është një rrjedhë e pandërprerë mes së shkuarës dhe së tashmes, një ndërthurje e çmuar për studiuesit, unike për banorët, magjepsëse për vizitorët nga e gjithë bota. Prej pothuaj tre mijë vjetësh kryeqyteti i Italisë jep shembullin e vazhdimësisë, aftësisë për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe për të rikrijuar të tashmen e tij. Këtë e dëshmon pasuria e madhe artistike e saj, tregues i përshtatjes së Romës, ndaj ndryshimit të rrethanave përgjatë mijëvjeçarëve. Tashmë ky qytet paraqet kandidaturën e tij për të mirëpritur Panairin Universal 2030.
Që prej lashtësisë Roma ka ditur të çajë rrugën drejt zhvillimit duke gjetur zgjidhje përparimtare për nevojat e komuniteteve të saj (një milion banorë në epokën e Perandorit August). Mjafton të përmendim këtu rrjetin futurist të ujësjellësit që i dha Romës titullin “Regina Aquarum” (mbretëresha e ujrave), apo rrjetin kryesor rrugor që lidhte Qytetin e Përjetshëm me qarqet e gadishullit dhe ato të Perandorisë (të gjitha rrugët të çojnë në Romë). Vizioni që Roma dëshiron t’i japë Panairit bazohet pikërisht në aftësinë e saj për të interpretuar trashëgiminë e së shkuarës dhe të së tashmes me vështrimin drejt së ardhmes.