top of page

Analiza: Si bizneset po zëvendësojnë me Inteligjencë Artificiale punonjësit e ikur në emigrim


Ndonëse ekonomia shqiptare bazohet në një model që shfrytëzon krahun e lirë të punës, disa biznese novatore po përdorin teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale për të ulur varësinë nga punonjësit. Bujqësia, nga hartat dixhitale të tokës, te spërkatja me dron dhe pajisje inteligjente. Si e ndihmon akomodimin programi “e-hotele” dhe si po përmirësohet marketingu dhe menaxhimi në të gjithë sektorët, që nga industria te profesionet e lira me IA. FMN thotë se revolucioni teknologjik është thikë me dy presa, që mund të rrisë përfitimet, por edhe mund të thellojë pabarazinë. Në vendet si Shqipëria, IA mund të zëvendësoje 26-40% të punonjësve

Aurel Grabocka ka krijuar platformën e parë të bujqësisë inteligjente në Korçë. Në fillim të marsit të këtij viti janë prezantuar hartat dixhitale të tokës, bazuar në historikun e prodhimit të 6 viteve të fundit për çdo parcelë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.


Hartat kombinohen me nivelin e lartësisë mbi nivelin e detit për çdo metër, si dhe me ndriçimin që pasqyrohet nga zonat e ndryshme. Nuk ka rëndësi madhësia e parcelës, pasi ngastrat dixhitale ndahen në kuadrate 10 metër katrorë.

Hartat dixhitale mund të përdoren me agregate, por edhe në shërbime manuale, duke u drejtuar me GPS nëpërmjet telefonit. Duke përdorur këto harta mund të kryhen plehërime të diferencuara atje ku duhet. Po ashtu mund të prodhohet më shumë atje ku fuqia prodhuese është më e madhe.


Aplikacioni, i cili mund të përdoret nga çdo fermer, mundëson korrigjimin e sasisë e farës që hidhet sipas fuqisë së zonave prodhuese. Këtë sezon, aplikacioni do të eksperimentohet gjithashtu në rrallimin e mollëve, sipas zonave prodhuese.



bottom of page