Kur Ani Dyrmishi më 2017 u bë pjesë e listës me 100 zyrtarë të korruptuar, u detyrua të jepte dorëheqje nga Hipoteka e Durrësit. Por largimi është thjesht një qarkullim në ciklin e “Rilindjes”. Të njëjtët persona marrin postet e drejtorëve. Kështu, Dyrmishi u bë drejtor i Hekurudhave, kryetar i këshillit bashkiak dhe së fundi drejtor i Spitalit Rajonal të Durrësit. Pra, ky zyrtar i ka të gjitha “aftësitë” të marrë “Flamur të kuq” për tenderat.
Këtë herë, bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-97722-03-07-2024 dhe që ka si objekt “Loti 2 – Materiale mjekimi kirurgjikale për nevoja spitalore”. Fondi limit për këtë lot është caktuar 350 milionë lekë përfshirë TVSH.
Në dokumente e vihet re se ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve EUROMED në pronësi të Hervin Forës dhe Engjëll Hoxhës & O.E.S DISTRIMED, në pronësi të Orjada Jahos dhe Ermal Rizajt.
Ata fituan me ofertën e tyre në vlerën 350 milionë lekë me TVSH.
Nëse krahasojmë këtë vlerë me fondin limit, rezulton se është sa 100% e tij. Shtojmë këtu edhe faktin që kontrata u dha pa garë sepse procedura është kryer me një pjesëmarrës. Për këtë tenderi është shënuar me ‘Flamurin e Kuq’ nga Open Data Albania, që është shenja e riskut të korrupsionit.
“EUROMED ” SHPK ka qenë edhe herë të tjera protagoniste në tenderat pa garë që ka përfituar më së shumti nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga historiku i kompanisë, duket se njeriu kyç pas Euromed është Hervin Fora, i cili është president i kompanisë farmaceutike Vinipharma Medical Group. Eromed është pjesë e Vinipharma Medical Group. Edhe pse sot ka vetëm 10 % të aksioneve, më parë Hervin Fora ka patur rol të madh në kompani.
Ai është akuzuar edhe për shitjen e ilaçeve kontrabandë.
Ndërsa firma O.E.S DISTRIMED, në pronësi të Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj, të cilat njihen për listën e gjatë të tenderëve ku janë favorizuar në shkelke të ligjit. Jo vetëm kaq, por gjatë pandemisë, Ministria e Shëndetësisë, paguan çiftin Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj për kitet mjekësore për të testuar qytetarët për koronavirusin, me çmim shumë herë më shumë se çmimi real.
Ndërkohë, Alma Cani, e cila është prej pak ditësh drejtuesja e re e QSUT, rezulton se i ka dhënë një tender të dyshimtë dhe pa garë kompanisë “O.E.S DISTRIMED” e cila me letra është në pronësi të çiftit Orjada Jaho, Ermal Rizaj.
Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-95563-02-15-2024 dhe me objekt “Blerje materiale mjekësore specifike për Shërbimin e Neurokirurgjisë” për mbulimin e nevojave 24 mujore”.
Fondi limit i tij është përcaktuar në shifrën 184,754,025 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.1 milionë euro me TVSH. Nëse shohim dokumentet e kësaj procedure, vihet re se ka marrë pjesë në tender vetëm fituesi, pra “O.E.S DISTRIMED”.