Ardian Nikulaj dyshohet se mund të jetë ‘tradhtuar’ nga persona pranë tij që kanë mbajtur të informuar autorët në lidhje me lëvizjet e biznesmenit. “Panorama” mëson nga burime pranë grupit hetimor se ai është vëzhguar në dy javët e fundit nga dy persona.
Ka dyshime se një nga informatorët mund të ketë qenë një person i afërt me të, për shkak të rrugës së ndjekur nga ekzekutori i cili është futur nga pjesa e pasme e lokalit dhe ka pasur dijeni për vendndodhjen e saktë të Nikulajt.
Në momentin e ngjarjes në lokal kanë qenë vjehrri i viktimës, një kamerier dhe një roje sigurie që shoqëronte viktimën. Ata janë shoqëruar për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen por nuk kanë të dhënë asnjë të dhënë që mund të ndihmojë grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Autori që kreu ekzekutimin e Nikulajt dyshohet se është vrasës me pagesë dhe profesionist për shkak të lëvizjeve që ka ndjekur edhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia dhe grupe të FNSH-së kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm kontrolle në zonë dhe disa pika hyrëse-dalëse por nuk kanë asnjë gjurmë nga autori që ekzekutoi biznesmenin Nikulaj. 50-vjeçari ishte i njohur për lidhjet e tij në politikë. Ai ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e shkuara parlamentare ndërsa në zgjedhjet lokale të 14 Majit garonte në listën e PSD për këshill bashkiak të Lezhës.