top of page

Arlind Qori: Sipas raportit të KLSH-së, 20 % e parave në buxhetin e shtetit vidhen dhe shpërdorohen


Kryetari i Lëvizjes Bashkë, njëherësh edhe kandidat i kësaj force politike për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori, është shprehur se besojnë se do të marrin nga 5 deri në 150 mijë vota në kryeqytet.


Komentet Qori i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Log”, ku shpalosi disa pika të programit të tij dhe evidentoi disa problematika në kryeqytet.

Ai tha se projektet për Tiranën mund të realizohen shumë thjeshtë nëse shmangen vjedhjet nga zyrtarët, pasi sipas tij, KLSH ka bërë të ditur se 20 % e buxhetit të shtetit vidhet dhe shpërdorohet.


“Ne besojmë se njeriu nuk jeton vetëm për barkun, vetëm për qejfet. Ne besojmë se njeriu jeton për dinjitet.

6 ditë ka shi, nuk do të thotë se në ditën e shtatë nuk do të dalë djelli. Çdo ditë ky sistem kalbet. Ne jemi të përgatitur për çdo rezultat. Por ne besojmë që ne do të marrim nga 5 deri në 150 mijë vota. Politika për ne është maratonë. Ne duam të bëjmë rolin e maratonomakut, por jo të vdesim në fund si te poezia e Nolit. Për mua të merrem me politikë është të jem konseguent me gjërat që u flas studentëve të mi. Për mua ky është projekt jete dhe jo vetëm për mua.

 

Për ne program është shumë i rëndësishëm. Kemi punuar për muaj të tërë për programin. Unë kam lexuar libra të urbanistikës, të sociologjisë për këtë program. Njerëzit janë të interesuar edhe për idetë. Ne i referohemi programit tonë dhe ideve tona. Mua nuk më duken qytetarët të pavëmendshëm ndaj ideve. Lëvizja Bashkë i përket të majtës demokratike. Programin tonë e gjeni të materializuar në vendet më të përparuara të Europës sot. Për mua aspekti ideo-politik është mjaft i qartë.


Ne nuk duam të shkatërrojmë rendin kushtetues në Shqipëri, ne duam ta demokratizojmë edhe më shumë Shqipërinë. Shteti duhet të ketë një rol të rëndësishëm në të drejtat sociale, etj. Vende që kanë qenë shumë të varfra, si Koreja e Jugut, janë vende shumë të pasura e të zhvilluara. Njerëzit edhe për të shkuarën nuk kanë qëndrim për çdo gjë të zezë.

 

Tirana e sotme nuk mund ta lidhim me qeverisjen e Veliajt, të Ramës dhe të Bashës. Tirana e sotme nuk ka hapsira publike, nuk ka parqe. Çdo vit i tjetërsohet hapsira publike. Unë ju ftoj të ecni në një rrugë në Tiranë dhe gjysmën e rrugës ju do të ecni krahas makinave. Në Tiranë nuk pihet uji i pishëm. E ka deklaruar vetë bashkia.

 

Tirana nuk ka as ujë 24 orë dhe as të pishëm. Tiranës i mungojnë shkollat, bëhet ende mësimi me turne. Në Tiranë të mbyt trafiku dhe të vdes ajri. 3 mijë veta në vit vdesin në Tiranë si pasojë e ajrit të pistë. Ajo që duhet bërë për ujin e pishëm në Tiranë, është që këto para të mos vidhen. Sipas KLSH, një në 5 lekë, ose 20 % e të ardhurave vidhen dhe shpërdorohen”, u shpreh Qori

bottom of page