
KLSH bëri një audit të thelluar te Onkologjiku dhe zbuloi pa fund shkelje. Por arroganca e qeverisë është se kurrë nuk i merr për bazë rekomandimet e KLSH.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçi tentoi të shfaqej shumë e prekur nga ajo që u zbulua tek Onkologjiku. Mjekët që në fakt kanë në dorë jetën e qindra pacientëve, bënin biznes me ta dhe qeveria vetëm pas aksionit të prokurorisë u kujtua të reagojë.
Janë pafund rastet e denoncimeve të familjarëve të pacientëve, që ankohen për mungesë barnash, se duhet të presin me ditë të tëra në radhë etj. Por përveç tyre, një zbulim tronditës u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në fund të vitit që lamë pas. KLSH bëri një audit të thelluar tek Onkologjiku dhe zbuloi pafund shkelje. Por arroganca e qeverisë është se kurrë nuk i merr për bazë rekomandimet e KLSH. Ky organ ka auditues profesionistë të cilët e gjejnë në thelb problemin dhe një nga detyrat kryesore është të japë rekomandime. Mirëpo “ekspertët” në krye të qeverisë bëjnë siç ju do qejfi, pasi kënaqin klientët e tyre.
Përtej “lotëve” të Koçiut, e cila ishte skandalizuar nga rasti, KLSH ka zbuluar se kjo qeveri e ka lënë prej afro 10 vitesh pa kontroll Onkologjikun, pasi nuk ka pasur asnjë të dhënë mbi situatën e kancerit në vend.
“Për periudhën në auditim (2020-2022) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk disponon:
a. Raporte monitorimi dhe vlerësimi në përfundim të Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit në Shqipëri 2011-2020;
b. Raporte monitorimi, vlerësimi për ecurinë e kancerit për vitet 2021-2022;
c. Regjistri Kombëtar i Kancerit nuk ka të dhëna në kohë reale të rasteve të reja për ecurinë e sëmundjeve tumorale si dhe mortalitetin e shkaktuar nga kanceri.
Gjetje nga auditimi: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka ndryshuar dhe miratuar: a. Rregulloren për përcaktimin e kritereve dhe normave shëndetësore për të sëmurët paliativ pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale; Protokollet klinike të cilat janë prej vitit 2014, ndonëse lista e barnave esencialë që përdoren në kujdesin paliativ është pasuruar”, thekson KLSH.