
Biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-drejtorit të Gardës së Republikës Gramoz Sakos, është paraqitur në SPAK këtë të hënë ku mësohet se ka qëndruar për rreth një orë.
Sako është pyetur në cilësinë e personit në dijeni, por ende nuk dihet zyrtarisht rreth çështjes për të cilën po heton SPAK.
Artan Sako është lakuar shpesh për aktivitetin e tij, ku në të paktën dy procedime të mëparshme të SPAK, kompania që posedon, 2T shpk, rezulton se ka marrë pjesë në tendera publik.
Kompania 2T, pas të cilës dyshohet se fshihet ish kreu i Gardës, Gramos Sako, hyri fuqishëm në tendera duke futur duart në buxhetin e shtetit pas ardhjes së PS-së në pushtet në 2013.
Gjatë 10 viteve të fundit, kompania 2T ka marrë rreth 230 milionë euro tendera publikë, e vetme dhe në bashkëpunim, me garë formale dhe pa garë, kryesisht me pazar në tavolinë, pra me paracaktim, dhe në shumë raste me oferta fituese gati sa fondi limit.
Përfituese edhe e dy koncensioneve, ka dyshime të forya se kompania 2T përfaqëson një nga linjat më të fuqishme dhe të konsoliduara të korrupsionit me tendera.
Ndërkaq, në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t’i investuar në klinikën e saj dentare.
Bëhet fjalë për klinikën, të cilën Komisioni i Vetingut në Polici e konsideroi si problematike sa i takon lëvizjes së parave.
Po a janë 63 mijë euro shuma e vetme që Gramos Sako ka marrë nga i vëllai Artan Sako, i cili ka marrë dhjetëra milionë euro para publike?!
Nëse SPAK do të operonte në këtë rast me standardin e hetimit të Arben Ahmetajt, mund të zbulonte çudira.