
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në Lezhë ku u raportua për një aksident. Pas hetimeve ka rezultuar se shtetasi Anteo Fizi ka kanosur me armë zjarri në bashkëpunim me dy shokë të tij një 23 vjeçar. Më pas duke u larguar me shpejtësi, janë përplasur me një automjet.
Policia ka arrestuar 20 vjeçarin si edhe ka shpallur në kërkim dy shokët e tij që kërcënuan 23 vjeçarin. Gjithashtu në kërkim është shpallur edhe shtetasi E. L., 23 vjeç, banues në Tale, pasi nuk ka kallëzuar se është kanosur me armë zjarri nga 3 shtetasit e lartpërmendur.
“Hetimet e thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Lezhës, zbardhin ngjarjen e ndodhur pasditen e datës 24 mars 2023, ngjarje e kallëzuar fillimisht nga shtetasit e përfshirë në të, si aksident rrugor.
Kanosi me armë zjarri, në bashkëpunim me 2 shokë të tij, një 23-vjeçar, dhe gjatë largimit me shpejtësi, u përplas me një automjet tjetër, arrestohet 20-vjeçari. Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij. Shpallet në kërkim edhe 23-vjeçari që u kanos nga këta shtetas, për moskallëzim krimi.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në dyshimet e krijuara mbi një rast të ndodhur më datë 24.03.2023, në aksin rrugor “Tiranë-Lezhë”, në Ishull Lezhë, të raportuar fillimisht si aksident rrugor, kanë kryer hetime të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në të.