Banorët e Bërxullës, të cilët protestuan sot para hipotekës, i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku që të gjejnë zgjidhje për pronat dhe banesat e tyre.
Ata pohuan se po u soset durimi, duke shtuar se nëse nuk gjendet zgjidhje, do të shkojnë drejt vetëflijimit
"Po na soset durimi. Mirë që nuk kanë marrë asnjë masë për të nisur dëmshpërblimet e banesave dhe të akomodoheshin diku, por s’kemi as titujt e pronësisë. Për ne ka kosto të madhe, është dhe dëm ekonomik. Po t’i punojmë tokat, nesër do vijnë ta na i prishin. S'e dimë se ku do të përfundojmë nesër. Afati ynë është deri të martën. Dallëndyshe Bicit i japim 1 javë kohë”, tha një prej banorëve protestues.
"Përgjigja e këtyre është vetëm heshtja, asnjë tjetër. Afati ynë është deri ditën e martë. Nuk ka zgjidhje më. Të na jepet një përgjigje si do të bëhet çertifikimi i pronës dhe i banesave. I kërkojmë urgjentisht zotit Kryeministër që atë VKM-në e vitit 2016 ta zhdukë dhe të mbledhë Këshillin e Ministrave dhe të marrë çmimin e referencës se sa janë shitur pronat. Protesta jonë sot e ka një motiv, motivi është çertifikimi i pronave dhe i banesave. Në të kundërt, protesta jonë do të fillojë 24-orëshe dhe punonjësit nuk do të kenë më shansin për të hyrë nëpër zyra".
"Duhet të ulen në negociata me banorët e Bërxullës, pasi nuk do e zhvillojnë rrugën. Do ketë fatin e Kalasë së Shkodrës. Durimi ynë po soset, ose do të shkojmë drejt vetëflijimit. Edhe ministres së linjës dhe zotit kryeministër, të mblidhet kabineti qeveritar dhe të vendoset drejtësi mbi këta banorë. Zona e Bërxullit nuk është tokë arë, por zonë industriale”, tha një protestues.