top of page

Balluku kërkon 58 mld lekë për 2024, miliona euro koncesioneve


Teksa nëpër institucione kanë nisur diskutimet mbi buxhetin e vitit që vjen, vëmendja me shumë përqendrohet tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shkak se gjithmonë ka kërkesa më shumë sesa buxheti që i cakton ministria e Financave.

Kështu pritet të ndodh edhe me diskutimet për buxhetin e ri, pasi kërkesat për fonde nga Ministria e Infrastrukturës janë përsëri në rritje.

Nga një dokument zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës mbi projektbuxhetin afatmesëm 2024-2026, Gijotina mëson se kërkesa për para nga ky institucion për vitin që vjen do të jetë 58.1 miliardë lekë, nga 53.2 miliardë që është buxheti i këtij viti.

Prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës, për vitin që vjen do të jenë pikërisht përfundimi i veprave të mëdha infrastrukturore dhe rritja e eficensës së energjisë, kjo e fundit ishte nevojë e shkaktuar nga kriza e vitit të kaluar.

Në dokument Ministria thekson se për të realizuar të gjitha projektet e saj, për zgjerimin e rrjetit të rrugëve, për ndërtim dhe rehabilitim të infrastrukturës, apo për rritje të eficencës së energjisë është e domosdoshme të këtë fondet e kërkuara në dispozicion.




Rrugët ‘rrëmbejnë’ fondet e 2024!

Nga 58.1 miliardë lekë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon për vitin 2024, një pjesë e madhe shkon për transportin rrugor. Është rreth 50% e buxhetit që ministri planifikon që për vitin që vjen ti shpenzojë për rrugët e vendit, për rehabilitim, për financim koncesionesh, për supervizim punimesh e të tjerë.

Konkretisht, nëse këtë vit sipas shifrave të këtij institucioni do harxhohen rreth 25 miliardë lekë vetëm për transportin rrugor, për vitin që vjen parashikohen shpenzime në vlerën 28.4 miliardë lekë. Pra, në vitin 2024, rrugët e vendit do të marrin edhe rreth 3.3 miliardë lekë më shumë se viti aktual, pavarësisht se projektet do të jenë pothuajse të njëjta, por që kanë nevojë për mirëmbajtje.




Ndër objektivat e këtij institucioni për vitin që vjen është mirëmbajtja e 3.532 kilometra rrugë përgjatë viteve 2024-2026. Tashmë është fakt që rrugët e reja në vend ende pa u përfunduar të gjitha lotët kanë nevojë për mirëmbajtje për shkak të cilësisë së tyre. Sipas objektivave të Ministrisë së Infrastrukturës deri në fund të vitit 2026 numri i kilometrave të ndërtuara, rehabilituara dhe të pajisura me infrastrukturë rrugore do të arrijë në 762 kilometra.

Nga ana tjetër, Ministria ka planifikuar të shpenzojë 5.1 miliardë lekë për transportin hekurudhor, kjo ndoshta për të ecur me punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës, punimet e të cilës po ecin me ritmin e breshkës dhe ende nuk ka një datë se kur mund të përfundojnë.

Koncesionet marrin ‘pjesën e luanit’!

Rreth 4 miliardë lekë nga buxheti i viti i vitit të ardhshëm do të shkojnë për koncesionin e madh të rrugës së Arbrit, të cilit nuk i dihet fundi.

Janë mbi 3.5 miliardë lekë që do ti jepen koncesionarit për këtë rrugë në vitin 2024, si dhe do të jepen 500 milionë lekë për supervizimin e punimeve.


Koncesioni i rrugës së Arbrit ishte ofertë e pa-kërkuar dhe ka startuar fillimisht në vitin 2018 me lidhjen e kontratës koncesionare me afat 13 vite mes qeverisë dhe kompanisë private Gjoka 87 shpk, ndërsa në 2019 nisën punimet me premtimin se do të përfundonin brenda vitit 2022.

Por ashtu siç ka ndodhur rëndom me premtimet e kontratat e qeverive në vend, afatet janë shkelur por pagesat kundrejt këtij koncesioni nuk kanë të ndalur.

Edhe pse është thënë se do të përfundoj brenda këtij viti, rezultatet në terren nuk flasin për një realizim të plotë të punimeve, pasi hapja e tunelit të Murrizit po ecën me ritme të avashta. Koncesioni tjetër që do të marri 738 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin që vjen do të jetë kontrata për ndërtimin e rrugës Milot Morinë.




Edhe për këtë koncesion janë parashikuar 50 milionë lekë për supervizimin e punimeve.

Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rrugës Orikum–Dukat, ByPass-Porti i Jahteve, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar pagesa në vlerën e 967 milionë lekëve.


Po ashtu do të jepen 221 milionë lekë për shërbime inxhinierike për kontratën e koncesionit për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtje dhe rehabilitimin dhe transferimin e segmenteve rrugore “Kashar-Pezë-Lekaj” “Lekaj-Konjat-Fier”, “Milot-Thumanë”.



Në planifikimin e buxhetit të këtij institucioni janë planifikuar edhe 7.2 miliardë lekë për kontratën e tunelit të Llogarasë, si edhe 91.5 milionë lekë për supervizim punimesh.

Ndarja e buxhetit sipas zërave!

Në buxhetin e vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar të shpenzojë për furnizimin me ujë dhe kanalizime mbi 18 miliardë lekë.

Rreth 1.1 miliardë lekë do të përdoren për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane, 553 milionë lekë për planifikim, menaxhim dhe administrim. Pjesa tjetër e buxhetit do të shkojë për transportin detar, ajror, për rrjetet e komunikacionit, mbështetje për industrinë, mbështetje për energjinë dhe për burimet natyrore.












bottom of page