Barometri / 7% e bizneseve paguajnë korrupsion për ndryshimin e ligjeve. A është koka Eduart Shalsi?
- Editor 1
- Sep 25, 2024
- 6 min read

Në vende në tranzicion si Shqipëria ka një formë korrupsioni ku përveç pagesave direkte informale tek zyrtarët bizneset paguajnë për të bërë ndërhyrje në legjislacion në favor të tyre.
Barometri i Ballkanit në anketën me bizneset vërejti se 7 për qind e tyre në Shqipëri kanë pohuar se kanë kryer pagesa korruptive për të ndryshuar legjislacionin në favor të tyre.
Maqedonia dhe Serbia kanë nivel më të lartë të korrupsionit për ndikimin ligjor me nga 13 për qind secila.
Nga ana tjetër Kosova paraqitet si vendi më nivelin më të ulët në Rajon të kapjes ligjore, pasi vetëm 1 për qind e bizneseve pohojnë se kryejnë këtë formë të korrupsionit. Gjithashtu nivele kishin më të ulëta kishin edhe Bosnja dhe Mali i Zi ku 3 për qind të bizneseve pohojnë se paguajnë për të bërë ligje dhe rregulla në shërbim të tyre.
Nga të dhënat e brendshme në Shqipëri është mjaft i përhapur fakti i ndërhyrjeve të bizneseve në procesin e prokurimeve për të formuluar rregulla specifike që përjashtojnë pjesëmarrësit e tjerë.
Por në Shqipëri kapja e shtetit nëpërmjet ligjeve është një fenomen që tashmë njihet.
Në Kuvend ka gjithmonë nisma të veçuara që kërkojnë lehtësime fiskale që u shërbejnë një grupi kompanish.
Rezultatet e Barometrit të Ballkanit tregojnë se kapja e shtetit nëpërmjet ligjit është zakonshme për bizneset në Shqipëri pasi në vitin e fundit 7 për qind e bizneseve të anketuara kanë pranuar këto lloj pagesash.
Një raport i Transparency International në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim – (IDM) që përfshinte shqyrtime nga 2008 -2020 evidentoi se rastet e shqyrtuara të korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri japin përshtypjen se ka një lidhje të fortë ndërmjet zyrtarëve publikë, sektorit privat dhe gjyqësorit, e cila është rritur në mënyrë të vazhdueshme duke shfrytëzuar pronën publike dhe sigurimin e të mirave publike.
Ndërkohë që politikanët, kryesisht në qeverinë qendrore, por edhe në qeverisjen vendore – bashkëpunojnë me sektorin privat për të shfrytëzuar e burimet e vendit, gjyqësori i korruptuar siguron pandëshkueshmëri për këto veprimtari dhe i zgjat skemat fitimprurëse korruptive.
Rastet e vitit të fundit nën hetim nga SPAK tregojnë se si një seri zyrtarësh në rastin e inceneratorëve, koncesioneve në shëndetësi, dosja 5D fabrikonin rregulla në mënyrë të organizuar për përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet buxhetore./Monitor
A është koka Eduart Shalsi?
Sa herë që oligarkët dhe kartelet e interesave duan të heqin ndonjë taksë, ndryshojnë ndonjë ligj për interesat e tyre apo të ndërmarrin ndonjë nismë ligjore për të gllabëruar pasuritë publike, gjejnë gjithnjë një personazh; Eduart Shalsi, i shënjuar tashmë si njeriu i oligarkëve dhe interesave të errëta.
Ligji për kalimin e pronave publike në duart e oligarkëve
Në një kohë kur mazhoranca ka shpalosur një projekt-rezolutë kundër korrupsionit, deputeti i saj Eduart Shalsi propozoi në Kuvend një nismë ligjore për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…“.
Nisma parashikon dhënien e pronave publike dhe shembjen e ndërtesave publike kur në këto territore parashikohet për të ndërtuar resorte apo objekte të tjera oligarkët.
Sipas propozimeve, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.
Sipas propozimeve, “kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit“.
Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës e kosideruan nismën si korruptive dhe të porositur, ndonëse Sali Berisha dhe Ilir Meta e mbështetën në heshtje, pasi siç dihet paguhen dhe pastrojnë paratë me oligarkët.
Nisma e Shalsit, e cila dyshohet se është përgatitur nga rrethi i biznesmenëve dhe oligarkëve me synim gllabërimin e pasurive publike, duke investuar paratë e korrupsionit, evazionit fiskal dhe trafiqeve, u pa me dyshim edhe nga deputeti socialist Erion Braçe.
Pati reagime të forta dhe një ekspozim të madh mediatik, por siç duket, gjithçka ishte vendosur në ato verandat ku shishja e verës kushton mbi 6 mijë euro.
Nisma u miratua me 68 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenim.
Nisma që kalon pronat publike në duart e oligarkëve dhe klientëve të qeverisë, u mbrojt nga Shalsi në Kuvend.
Shalsi sqaroi se nisma synon zgjidhjen e disa problematikave të konstatuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues dhe propozon disa propozime ligjore lidhur me shkëmbimin e pronës shtetërore; rregullimin e procedurës së shitjes së pronës shtetërore në rastin e investimeve në turizëm apo kur është dhënë me qira dhe janë plotësuar kushtet e privatizimit; shembjen e objekteve në tokat shtetërore, për të cilat është parashikuar një plan zhvillimi.
Eduart Shalsi përfaqësues i interesave korruptive të mashtruesve të qumështit
Paraditen e 2 nëntorit 2021, ish ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, e cila do të shoqëronte buxhetin e vitit 2022. Përpos të tjerave, ministrja tha se ishte parashikuar edhe një taksë për qumështin pluhur që futet në Shqipëri, 100 lekë për litër, për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë.
Ky propozim alarmoi bosët e qumështit, të cilët nisën të lobonin kundër taksës së propozuar.
Shqetësimi i pronarëve të fabrikave të qumështit për taksën e propozuar për qumështin pluhur, tërhoqi vëmendjen dhe shqetësoi disa deputetë, pasi pothuajse të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat shesin qumësht, kos, djathtë etj., në etiketë e prezantojnë produktin si 100 % natyral. Kur produktet i prezantojnë dhe i shesin si 100 % natyral, pse bosët e qumështit duhet të shqetësoheshin për një taksë për qumështin pluhur?!
Pronarët e fabrikave të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, duke lobuar kundër një takse të re për qumështin pluhur. Ata pranuan në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë, se ata përdornin qumështin pluhur në produktet e tyre të paktën në masën 2 %, duke nënkuptuar se përzierja mund të jetë shumë më e lartë, bashkë me produkte të tjera si vaj palme etj.
Kjo deklaratë duhet të ngrinte në këmbë shtetin, AKU, Prokurorinë, Kuvendin dhe madje edhe Shërbimin Informativ, për një krim masiv kundër shëndetit të popullatës, përmes mashtrimit.
Produktet i nxjerrin me etiketë 100 % natyral, ndërsa në Kuvend thanë se përdornin qumësht pluhur.
Bosët e mashtrimit të madh me qumështin shumë shpejt gjetë çelësin e zgjidhjes: Eduart Shalsin.
Si kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, fillimisht e kundërshtoi publikisht propozimin e taksës.
“Duhet të konsultohemi patjetër me grupet e interesit. Jemi në kohë për të parë se çfarë mund të reflektojmë dhe ndryshojmë brenda paketës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të duhet një analizë e plotë për efektet qoftë për tregun e qumështit dhe nënprodukteve të tij, qoftë edhe të produkteve bujqësore. Ka disa shqetësime nga grupet e interesit që këto masa mund të mos shtynë drejt formalitetit, por përkundrazi…”, tha Shalsi.
Pronarët e fabrikave të qumështit dhe nënprodukteve të tij duket se kishin nisur ndërkohë në prapaskenë lobimin intensiv për të rrëzuar propozimin e qeverisë për taksën për qumështin pluhur.
Ata kishin përgatitur një material me kundërshtimet e tyre që në datën 1 nëntor 2021. Dhe ky lobimi jo transparent rezultoi efektiv në interesin e tyre, pasi taksa u hoq pa asnjë shpjegim.
Në 4 nëntor 2021, Eduart Shalsi zhvilloi një mbledhje me bosët e qumështit.
Ndryshe nga sa është operuar zakonisht, ku seancat dëgjimore me grupet e interesave janë publike dhe të hapura, seanca për taksën e qumështit pluhur në Komisionin e Ekonomisë, u mbajt e fshehtë.
Në faqen e Kuvendit, ku shfaqeshin të regjistruara të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare sipas datave, mungoi vetëm seanca e Komisionit të Ekonomisë me tregtarët e qumështit.
Tre ditë pas konsultave, deputeti Erion Braçe, anëtarë i Komisionit të Ekonomisë, përmes një postimi në Facebook, shprehu habinë për tërheqjen e Ministrisë së Financave nga taksa për qumështin pluhur.
“Qeveria është tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po përse? Dhe ku xhanëm? Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ligjin për taksat kombëtare me takse te re për qumështin pluhur. Ne Komisionin e Ekonomisë kemi nisur shqyrtimin e tij; Po aty, bëmë një dëgjesë me fabrikat e përpunimit të qumështit”.
Qëndrimi i Braçes nënkuptoi qartë se në Komision nuk është rënë dakord për heqjen e taksës, por tërheqja është bërë më pas pas pazareve të Shalsit me bosët e qumështit. Natyrisht nuk kemi prova nëse bosët e qumështit kanë paguar Shalsin dhe sa e kanë paguar, por faktet tregojnë edhe një herë veprimtarinë parlamentare të Shalësit kundër interesit publik