top of page

BE ngre alarmin për mandarinat nga Shqipëria, Ministria e Bujqësisë 'kyç gojën' për skandalin

Sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria.Ka qenë Presidenti i Urdhërit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, që e ka ndarë njoftimin e RASFF në faqen e tij në Facebook, ku shkruan se ky alarm vjen ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina.

Ai shkruan gjithashtu se kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore

'Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!

 Ku është Ministria e Bujqësisë?Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve?

Kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona. ', shkruan Ervin Resuli.

Përgjatë javëve të fundit, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, vende që kanë importuar fruta nga vendi ynë, kanë refuzuar në kufi pas analizave prodhimin shqiptar.

Mandarinat rezultojnë me mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Konkretisht, mbetje të larta të pesticideve chlorpyrifos dhe phosmet, që si efekte anësore kanë ndikimin në zhvillimin e trurit tek fëmijët, çrregullime të sistemit nervor dhe atij endokrin, si dhe rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe kancer.

Pavarësisht se sinjalizimi i konfirmuar edhe nga Komisioni Europian është bërë në datat 29 Nëntor dhe 11 Dhjetor të këtij viti, nga Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e kontrollit ushqimor në vend nuk ka një lajmërim zyrtar mbi sigurinë apo tërheqjen nga tregu të këtyre produkteve.

Mbetjet e pesticideve rezultojnë nga analizat 3 deri në 12 herë më të larta nga sa lejojnë rregulloret europiane, të ndryshuara që prej Shtatorit të vitit të kaluar.

Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit, Ervin Resuli shprehet se Ministria e Bujqësisë fsheh rastin dhe nuk ka publikuar asnjë njoftim për qytetarët, pasi sipas tij zëvendësministri Dhimo Kote është një nga tregtarët kryesor të mandarinave. Ai kërkon të merren masa të menjëhershme dhe të bëhet transparencë publike lidhur me çështjen.

bottom of page