Genc Gjokutaj, avokati i ish-Kryeministrit Sali Berisha, u shpreh pasditen e sotme për mediat, se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e vlerësimit të masave të sigurisë.
Gjokutaj tha se kërkesa është paraqitur në GJKKO, ndërsa shtoi se “ne jemi për një proces të rregullt”.
Sipas tij, gjyqtarja ka shpërdoruar detyrën, teksa ka miratuar masën “detyrim paraqitje” me “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”, çka sipas ish-Kryeministrit dhe mbrojtësve të tij, është në shkelje me Kushtetutën, pasi një deputeti të Kuvendit nuk mund t’i ndalohet lëvizja, pa marrë lejen nga Kuvendi.
“Nga ana e z.Berisha sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes, për shpërdorim detyre, sepse vendimi është në shkelje të Kushtetutës.Kemi kërkuar përjashtimin e Irena Gjokës. Gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë.
Po presim për vendimin e shqyrtimit për përjashtimin e saj.
Ne nuk vijmë këtu që të na jepen dy tre dorë dhe të lexohen 2 mijë faqe, ne do presim vendimin e gjykatës”, tha Gjokutaj.
SPAK dhe më pas GJKKO caktuan dy masa ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes nga territori i Shqipërisë. Berisha ka statusin e personit nën hetim lidhur me çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani, ndërsa SPAK ka ngritur dyshimet për korrupsion pasiv.
Ndërkohë Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-Kryeministrit Berisha, është vendosur nën masën e “arrestit me burg”, ndërsa me vendim të GJKKO pasuritë e tij janë vendosur nën sekuestro preventive. Malltezi akuzohet për korrupsion të kryer në bashkëpunim dhe pastrim parash. Nën anën tjetër, Fatmir Bektashi, ndërtues, ka masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndaj tij janë ngritur akuzat e “korrupsionit” dhe pastrimit të parave, në bashkëpunim.