top of page

Berisha: Zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës



TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “bashkia e Tiranës ishte përgjegjëse kryesore për monitorimin e çdo muaji, të punimeve, të depozitimeve dhe të gjithë zhvillimeve në fushën e Sharrës për djegësin e Tiranës”.


Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se “kanë kaluar 6 vjet dhe nuk ka asnjë objekt të ndërtuar, në një kohë kur taksapaguesit dhe biznesmenët e detyruar kanë paguar mbi 120 milionë euro”.


“Ky është një akt i pashembullt në histori. Ky koncesion është quajtur koncesion privat, por çfarë koncesioni privat është ky, kur ka marrë nga qeveria dhe bashkia, 120 milionë euro dhe duhej ta kishte në përfundim djegësin. Ato i ka marrë Erion Veliaj me shokë dhe djegësi nuk ekziston në asnjë gjurmë. Së pari, t’i japësh privatit për të ndërtuar për veten e tij, dhe jo me paratë e tij, është një krim i shëmtuar”, tha ai.


Berisha tha se “zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës”.

“Sekuestrimi gjysmak, për të mos thënë edhe klientelist i SPAK, që u duartrokit aq shumë, lejon në mënyrë të paimagjinueshme pagesat kriminale, të hedhura poshtë nga KLSH, në kundërshtim me kontratën për 29 euro për ton, në një kohë kur nuk digjet asnjë kilogramë.Sepse SPAK nuk ka guxuar të urdhërojë anulimin e faturës prej 29 euro për ton”, shtoi ai.

“Garantoj se do bëhet një proces publik shembullor dhe nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë verdiktit të qytetarëve. Tirana po zien nga një revoltë e brendshme e jashtëzakonshme, e cila së shpejti pritet të shpërthejë dhe do u tregojë vendin autorëve të vjedhjes së shekullit”, shtoi ai.

bottom of page