Blerja e bojërave për fasadë është një nga tenderët më të rëndësishëm të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Jo për nga vlera, por për peshën që kanë ngjyrat në propagandën që rrethon aktivitetin e tij. Prandaj, duhet edhe një person i sprovuar për të bërë furnizimin. Tenderi është organizuar nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike, Rozafat Sopaj, që varet direkt nga kryetari Veliaj. Kontrata e përfunduar u njoftua më datë 2 maj 2024, pasi ishte zhvilluar tenderi ‘Blerje Mallrash’.
Përmes këtij tenderi do të blihen bojëra fasadash, ngjyrues, stuko dhe beton i gatshëm. E dimë tashmë që këto duhen për fasada i improvizuese që stafi i Veliajt mund t’i bëjë shpejt e shpejt.
Kur sytë shkojnë në fund të tabelës, shikon vlerën 350 milionë lekë për blerjen e mallrave të tillë, që mund të sigurohen mjaft lirë në treg.
Tenderi me “Red Flag”
Mënyra se si është zhvilluar tenderi tregon se fokusi kryesor ka qenë xhirimi i fondit me shpejtësi tek një klient i bashkisë. Kështu drejtori i Lali Erit e ka mbyllur tenderin pa garë. Në dokumente shohim se i vetmi që ka paraqitur ofertë është Gentian Horjeti, i regjistruar në QKB si “Person Fizik”. Kontrata është vlerësuar me “Flamurin e kuq”, për mungesë konkurrence dhe risk të lartë korrupsioni.
Horieti, klient i hershëm i tenderave të Bashkisë Tiranë
Bashkëpunimi me Gentian Horjetin është i paramenduar. Biznesmeni fiton tendera nga më të ndryshmit, që nga bojërat tek materialet e tjera elektriket dhe hidrauliket.
Madje, në vitin 2019 ka shtuar në gamën e aktiviteteve edhe materialet e dezinfektimit. Në atë kohë, bashkia e përfshiu me tenderin e madh “Blerje materiale për mbrojtjen personale nga Covid-19” me vlerë 151 450 830,00 lekë, i zhvillua po ashtu nga kjo drejtori e Lali Erit.
Megjithëse rezulton në QKB i deklaruar “i vetëpunësuar i vetëm” (dokumenti më sipër) Lali Eri i ka dhënë Horjetit 44 tendera. Shumica e tyre janë me “Flamur të kuq”.