“Agrokredit” sh.a me NIPT K82431002V është një kompani mikrofinanciare e licencuar më 20 mars 2009 nga Banka e Shqipërisë, me pronar 100% Ministrinë e Financave. Emri i krijimit ishte FAF (Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit) por u ndryshua në 2019 në Agrokredit. FAF trashëgoi aktivitetin e Fondacionit FFZM, sipas VKM 904, 7.06.2008 dhe u krijua si një alternativë financiare për të mbështetur bizneset e vogla rurale, sidomos ato të zonave malore me mikrokredi.
FAF filloi tu jepte mikrokredi individëve ose sipërmarrjeve të vogla e të mesme, fillimisht në zonat rurale dhe të disfavorshme për t`u arritur nga bankat e mëdha. Synimi ishte pozitiv, të reduktohej varfëria në zonat rurale dhe malore. Si një shoqëri shtetërore me mision të orientuar për të ndihmuar fshatarët e zonave rurale dhe malore, FAF për më shumë se dhjetë vjet (2008-2018) zhvilloi një aktivitet të mirë duke zhvilluar me sukses kredidhënien në shumë zona rurale në gjithë Shqipërinë.
FAF deri në vitin 2018 ishte një histori financiare positive, pa humbje dhe që nuk paraqiste asnjë rrezik për pronarin e saj, Ministrinë e Financave, apo mbikëqyrësin që e kishte licencuar, Bankën e Shqipërisë.
Duke funksionuar si një shoqëri aksionere, me dy nivele drejtimi, këshill mbikëqyrës dhe administrator FAF-i emëronte administratorët çdo tre vjet me mandat të kufizuar dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës që i qarkullonte “pronari”, Ministri i Financave.
Si institucion mikrofinanciar, FAF mbikëqyrjen direkte e kishte nga Banka e Shqipërisë. Brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, të gjitha institucionet financiare të mikrofinancës janë të detyruara të dorëzojnë në Bankën e Shqipërisë pasqyrat financiare, raportin e auditit dhe raportin e veprimtarisë. Këtë supozohet se e ka bërë dy here në vit edhe FAF-i alias “Agrokredit”sha.
SI U ZHVAT FAF NGA 2018 NË 2024? PSE HESHTI GUVERNATORI DHE MINISTRI I FINANCAVE?
Më 2 shkurt 2018, administratori i FAF u emërua Emin Barçi me bekimin e ministrit të Financave të kohës, Arben Ahmetaj. Barçi u transferua nga mikrofinanca tjetër shtetërore ku kishte qenë për thuajse dy vite drejtor i “ATK” (Agjencia e Trajtimit të Kredive) dhe pasi e shkatërroi ATK-në me themel për habinë e të gjithë financierëve të Ministrisë së Financave u emërua administrator tek FAF.
Me CV “suksesi” si ish-financier i Federatës Shqiptare të Futbollit në vitet ’90, financier i “Joy Travel” të Xhoana Nanos pas vitit 2005 dhe krijues e më pas shitës i kompanisë së mikrofinancës “Final” në 2008-2015, Emin Barçi nisi shkatërrimin e FAF që kishte dhjetë vjet që funksiononte pa asnjë humbje dhe ndihmonte disi reputacionin e shtetit të ngordhur shqiptar përballë fermerëve dhe bizneseve të vogla rurale.
Brenda vitit, Barçi ndryshoi statutin e FAF për t’i dhënë mundësi vjedhjeve të justifikoheshin. Me ndryshimet e statutit të themelor të vitit 2008, Barçit në shtator 2018, futi një klauzolë që parashikonte “humbjet e çdo viti mund të barteshin në vitin pasardhës”. Për të humbur gjurmët e FAF-it të vjetër, sjell në prill 2019 një emërtim të ri, nga FAF në Agrokredit.Kush ka punuar pranë FAF tregon ngjarje të pabesueshme për vjedhjet skandaloze të Barçit dhe drejtorit të shitjeve, Ardian Koni, ky i fundit thirrej “hajduti me çizme”.
Pasqyrat financiare dhe vendimet që QKB nxjerr çdo vit për Agrokredit sha japin vetëm të dhëna me humbje për periudhën 2018-2024, sa kohë drejtoi këtë kompani Barçi. Faktet dhe shifrat sipas pasqyrave të konvertuara në euro japin shifra tronditëse:
• 2018: humbje (-) 1,137,697 Euro
• 2019: fitim (+) 498,658 Euro (përdorur për të mbuluar një pjesë të humbjes së bartur)
• 2020: humbje (-) 1,724,160 Euro
• 2021: humbje (-) 359,734 Euro
• 2022: humbje (-) 1,495,612 Euro
Shifrat tregojnë një humbje afërsisht 4.2 milion Euro të mikrofinancës shtetërore Agrokredit sha për 5 vitet e fundit, pa pasur të dhënat e vitit 2023 që nuk janë pasqyruar akoma në QKB. E gjitha nën hundën e qeverisë, Ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Një e dhënë skandaloze që shihet nga QKB është se më 18 shkurt 2021. edhe pse administratori i emëruar për tre vjet (2018-2021) Emin Barçi e çoi dy vjet në humbje Agrokredit-in, përsëri riemërohet administrator nga Ministri i Financave, Anila Denaj, për tre vite të tjera.
Më 1 mars 2024, Barçi largohet me mbarimin e mandatit, ndërsa më 8 mars 2024 nga Ministri i Financave Ervin Mete u miratuan pasqyrat financiare të vitit 2022 me një humbje 1.5 milion Euro. Pronari i Agrokredit “kunadhja” Mete, miratoi vendimin e asamblesë së kompanisë pa u shprehur fare për humbjen e madhe (149,665,181 lekë) për një institucion mikrokredie si ishte Agrokredit.
Deklarimet në QKB për Agrokredit tregojnë se për asnjë nga vitet të dhënat financiare nuk janë bërë brenda afatit gjashtëmujor, si kërkohet nga administrata tatimore. Arsyet e këtyre vonesave nuk dihen, kur stafi i Agrokredit ishte gjithë kohën i tejmbushur me rrogtarë e financierë.
Riemërimi i administratorit Barçi në shkurt 2021 tek një kompani mikrofinanciare që del me humbje ka marrë edhe miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë, e cila ka dhënë një vlerësim pozitiv për administratorin “hajdut” që e mori me fitim FAF-in dhe e ka çuar me humbje duke e quajtur Agrokredit.
Agrokredit ka dorëzuar çdo 3 muaj në Bankën e Shqipërisë informacion financiar me raporte përkatëse për asetet, detyrimet, kapitalet etj., sipas rregullores për administrimin e rrezikut të kredive. Të gjitha raportet e dorëzuara nga Agrokredit në Bankën e Shqipërisë kanë qenë me defekte të rënda dhe mungesa themelore, ndaj për këtë shkak Banka e Shqipërisë duhet të kishte ndërhyrë në kohë për të shmangur falimentimin e plotë.
Përse hezitoi Sejko?
Guvernatori Sejko ka fshehur me ndërgjegje vjedhjet që bëheshin te Agrokredit. Në raportet e mbikëqyrjes që BSH ka publikuar në faqen e saj për 2020-2022, asnjë institucion mikrofinanciar nuk del me humbje. Publikimi është skandaloz, fakt që duhet ta fiksojë menjëherë SPAK. Raporti i Guvernatorit Sejko për publikun, jo vetëm që fsheh vjedhjet e mikrofinancave si kjo e Agrokredit, por në absurd lavdëron Micro Credit Albania për fitimet që kishte nxjerrë, edhe pse në dhjetor 2020 e kishte shpallur kompani “me probleme”.
Përse nuk u lexua Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit?
Në një raport kontrolli për vitin 2020, KLSH hedh dritë mbi vjedhjet dhe abuzimet e “erës” Barçi në Agrokredit. Nga analiza e të dhënave financiare, KLSH nxjerr në pah zhvatjet e bëra nga administratori Barçi dhe ndihmësit e tij, kryesori Ardian Koni.
KLSH vëren miliona shpenzime për personelin, edhe pse çdo vit Agrokredit dilte me humbje. KLSH kapi miliona shpenzime të padokumentuara që kanë rënduar humbjen e Agrokredit në nivele falimentimi.
Raporti i KLSH flet për një skemë të ngjashme me atë të MCA, ku janë zhvatur dhjetra prona me “procedura” e marifite përmbarimi marrje pronësie nga Agrokredit. Në të gjitha procedurat e vjedhjeve të pronave me përmbarim, KLSH ka nxjerrë se Barçi përdorte një emër me të cilin ndante “plaçkën” e vjedhur ndaj fshatarëve që nuk paguanin mikrokredinë. KLSH nuk gjeti një inventar të qartë të këtyre pronave, por nga të dhënat e punonjësve të brendshëm tregohet për një “batërdi” me shitjen e tyre në tregun “e zi” nga banda “Barçi & Koni”.
FAF nuk ekziston më si emër as si aktivitet normal për të cilin u krijua. Agrokredit nuk është më një institucion mikrofinanciar rentabël. Nga tërësia e të dhënave financiare, mikrofinanca FAF alias Agrokredit tashmë ka “vdekur”.
Mashtrimi me mikrokredi ka muaj që dëgjohet nga publiku bashkë me justifikimet bajate të Guvernatorit Sejko dhe pupacëve të tij që përpiqen të justifikojnë vjedhjen më të madhe që u është bërë shqiptarëve, prej krijimit të shtetit, nga mafjozët me kollare dhe makinë llogaritëse në xhep.
Sejko duhet të shpjegojë publikisht se si mikrofinanca në Shqipëri ka përfunduar me 4 kompani të falimentuara për 4 vjet: një e gruas – “Lendal”, një e “pupacit” Barçi – “Agrokredit”, dhe dy të vetat – “MCA” & “Final”, pa llogaritur suksesin e kompanive të “Putinit”, Iute Credit dhe Kredo Financë.