top of page

Bora mbulon Korçën, Sotiraq Filo bën vijat e bardha: 100 MLN lekë pa garë Bajram Dalipajt

Kreu i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo i lë lekët e bashkisë rrugëve me bashkëpunëtorët e zullumeve të tenderëve. Korçarët mbahen si kursimtarë dhe taksapagues të rregullt, por, kryebashkiaku i tyre po i shpërdoron paratë e tyre.

Këtë herë, Filo ka zhvilluar një tender që të bënë të qeshësh sepse ka zgjedhur kohën e gabuar për t’i harxhuar këto lekë të bashkisë. Tenderi ka për objekt “Shërbim për vijëzimin e rrugëve të Bashkisë Korçë”.  Tani e gjeti Filo të vizojë rrugët, që bora mbulon gjithçka në këtë qytet?! Me sa duket Filo paska mbaruar me sukses arnimin e rrugëve dhe tani do iu vendos vijat e bardha. Kontrata që nis tani, mbaron për një vit, kështu që Filo ka kohë t’i bëjë vijat verën e vitit që vjen.

Lind pyetja, pse nuk i kryen këto punime kur bëhet rehabilitimi i rrugëve? A e kanë për detyrë kompanitë që fitojnë këto tendera të bëjnë edhe sinjalistikën rrugore? Eh po, Filo i bën punët një nga një, sepse kështu mund të nxjerrë më shumë lekë nga arka e bashkisë dhe t’ua ndajë miqve të tij nëpër tendera.Filo edhe tek vizimet kërkon të nxjerrë diçka, prandaj këtë tender kryebashkiaku e ka mbyllur me disa shkelje të ligjit mbi prokurimet. Së pari, shohim se vetëm firma IDK – Konstruksion ka paraqitur interes për këtë tender, me ofertën 95 milionë lekë. Dhe duke qenë se është “punë vijash”, kryebashkiaku është fokusuar tek përfitimi. Nuk i ka shtyrë më shumë procedurat, por ka nënshkruar kontratën me pronarin e firmës Barjam Dalipaj.

Kështu, për mungesë të konkurrencës dhe duke pranuar ofertën e shtrenjtë, Filo ka marrë vlerësimin “Flamuri i kuq” nga Open Data që sinjalizon riskun e korrupsionit.

Dalipaj njihet për ofertat e shtrenjta që ofron për të kryer punë të vogla. Rekordin e ka shënuar me tenderin për semaforin në Tropojë: 37 milionë lekë u pagua Dalipaj nga Bashkia Tropojë në 2022 për të vendosu vetëm 1 semafor.

Edhe atë tender Dalipaj e mori pa garë. Shqetësimi u ngrit në media për këtë abuzim, por askush nuk u vu përpara përgjegjësie për shpenzimin e semaforit “historik”. Ndërsa për vijat e bardha Dalipaj paska një tjetër çmim të kripur.

Me sa duket Dalipaj ua paska marrë dorën kryebashkiakëve si Filo që i bën vijat e bardha mbi borë!

bottom of page