Në Burgun e Kavajës janë 18 të mitur të dënuar. Kamera e Euronews Albania ishte këtë të hënë brenda ambienteve ku minorenët po vuajnë dënimin.
Të miturit nga mosha 16 deri në 18 vjeç, janë dënuar ose në proces gjykimi për vepra të ndryshme penale, nga vjedhje e deri tek më e rënda, vrasje.
Disa janë penduar për krimet e bëra, të tjerë refuzojnë të përgjigjen. Jeta brenda katër mureve, nuk ka qenë dhe fort e lehtë për ta.
“Më mungojnë shumë gjëra, të ikën rinia unë kam rënë sa kam bërë 15 vjeç, bie të dal 19 vjeç. Kam rënë për vjedhje me dhunë grabitje, vetëm se e kam pas më armë të ftohtë… Qejfi bëhet kur je i vogël, me 19 unë do kap ritmin siç e kanë kapur ata në kohë time, ngel shumë mbrapa kam ngel dhe do vazhdoj”, tha një i burgosur.
Të tjerë, duket se i janë dorëzuar fatit.
“Këtu është qendër rehabilitimi, çunat më mirëpriten mirë por mania e burgut, emri që ka, të vret… Gjithmonë burgu ka kufizimet e veta, nuk ka lirshmëri të madhe…që nuk rrinë gjithë ditën me familjen, nuk je pranë tyre”, tha një tjetër i burgosur.
Në burgun e Kavajës, pjesën më të madhe të kohës e zënë programet e ndryshme mësimore, sociale e psikologjike për t’i ardhur në ndihmë minorenëve. Qëllimi I tyre është të mos përsërisin ato vepra penale për të cilat po vuajnë dënimin.
“Paradite kemi shkollë, mbasdite kemi aktivitete, luajmë në kompjuter, futboll, palestër dhe kemi kurse profesionale. Është me sezon, një herë do të kalosh tek puna me dru, pastaj tek hidrauliku… diplomën e marrim këtu”, tha ai.