top of page

Byberi i Tropojës jep 800 mln pa garë, firon oferta më e shtrenjtë


Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi është zgjuar tani në fushatë dhe planifikon të shpenzojë 800 milionë lekë për rikonstruktimin e një rruge. As riparimi i një autostrade nuk do të kushtonte aq shumë para, por kryebashkiaku ka vendosur të hedhë paratë për propagandën e zgjedhjeve.

Kështu me datë 19 prill 2023, Byberi ka çelur dritën jeshile për tenderin me objekt “Rikonstruksion i rrugës se fshatit Kasaj”, për të cilën është lënë në dispozicion fondi me vlerë 800 milionë lekë. Së pari, ky tender është dhënë pa garë fare. E si të mos nisin abuzimet, kur qeveria hap thesin elektoral.  Jo vetëm kaq, por ka fituar oferta më e shtrenjtë.

Sipas dokumenteve të tenderit, 7 firma kanë paraqitur oferta.

Madje dy prej tyre kanë paraqitur oferta me vlerë 550 milionë lekë. Ndërkohë, komisioni i tenderit i ka skualifikuar me justifikimin se nuk kanë deklaruar që kanë objektet e punës. Kështu, Nika shpk, që kishte ofertën me vlerë 580 milionë lekë do të xhirojë paratë më arkën e saj.

Përveç kësaj, vëmë re se të gjitha firmat janë ofruar të kryejnë këtë shërbim me maksimumi 570 milionë lekë, pra te rreth 300 milionë lekë më lirë nga fondi që planifikonte Byberi të shpenzojë. Një tjetër fakt ky, që e nxjerr blof kryebashkiakun dhe na tregon se një pjesë e mirë e parave përfundojnë në xhepin e zyrtarëve dhe veç një pjesë e vogël bëhet asfalt.

Shtojmë se firma “Nika” në pronësi të Shpresa Nikës, është bërë e preferuara e qeverisë merr vazhdimisht tenderë të bashkive.. Ajo po përfiton prokurime pa garë për riparim rrugësh, sidomos në funksion të fushatës elektorale. Theksojmë se në tenderët e publikuar së fundmi, pjesa më e madhe po firmosen vetëm pak javë nga dita e zgjedhjeve.

Theksojmë se Tropoja, si qytet në qarkun e Kukësit, renditet si një nga zonat që ka nivelin më lartë të emigracionit. Është edhe në një nga katër qarqet më të varfër në Shqipëri, sëbashku më Dibrën, Lezhën dhe Shkodrën. Por, pavarësisht këtyre plagëve të mëdha që ka ky qytet, pavarësisht edhe faktit se banorët që nuk janë larguar ende jetojnë në mjerim dhe të harruar, kryebashkiakët që vijnë e ikin nuk bëjnë investime në dobi të tyre.

bottom of page