Sot disa media afër Sali Berishës lidhën emrin tim me një përgjim hipotetik vjedhur në një kafene, ku përfshihet gazetari Adriatik Doçi.
Sot disa media afër Sali Berishës lidhën emrin tim me një përgjim hipotetik vjedhur në një kafene, ku përfshihet gazetari Adriatik Doçi. Një përgjim ku nuk dëgjohen asnjëherë pyetjet dhe nuk dimë akoma se sa autentik dhe i plotë është. Adriatik Doçi, për 8 orë në ditë punon për Shqiptarja.com dhe Report Tv dhe gjatë gjithë pjesës tjetër të kohës së tij, si shumë gazetarë të tjerë, punon me kë dëshiron dhe siç është lehtësisht e verifikueshme, merr pjesë dhe në shumë emisione të shumë televizioneve të tjera. Pavarësisht kësaj, u prezantua nga qehajajtë e Berishës si “gazetari i Carlo Bollinos”. Në ''përgjimin'' Adriatik Doçi duket se i shpjegon një gazetareje të re, që mesa duket i është prezantuar atij për të kërkuar punë, se si funksionon tregu i deformuar i mediave shqiptare, një deformim ndaj të cilit luftoj prej 30 vitesh. Doçi duket se i shpjegon se shumë media paguhen nga biznesmenë për të mos publikuar lajme të sikletshme. Praktikisht biznesmenët, dhe duket se kuptohet edhe ministrat, zëvendëskryeministra apo kryeministra (aktualë apo ish?), korruptojnë gazetarët për të mos u bezdisur në aferat e tyre të pista. Pra, për të mos u goditur.
Natyrisht, jam plotësisht dakord që gazetari që pranon të paguhet për të heshtur të vërtetën është fajtor, por edhe kush korrupton nuk më duket i pafaj: Si të thuash që, do të ishte e mjaftueshme që nëse këto viktima do të ishin të ndershme dhe të mos kishin asgjë për të fshehur, edhe gjobat e gazetarëve do të merrnin fund. Po këto janë konsiderata tepër të holla për inkuizitorët berishianë të cilëve nuk iu intereson as logjika, as e vërteta. Janë të njëjtët që mbrojnë pa pikë turpi një ish ministër socialist nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash dhe godasin gazetarët që e demaskojnë. Duke filluar pikërisht nga Adriatik Doçi. Dhe pastaj natyrisht më godasin dhe mua sepse kështu janë mësuar të bëjnë prej 30 vitesh.
Unë nuk jam dakord as edhe me një fjalë të vetme mes atyre që mendohet se ka thënë Adriatik Doçi, duke filluar nga fakti se për një gazetar do të ishte I mjaftueshëm “perceptimi i fajësisë” për të sulmuar dikë. Për mua është e kundërta, cilado akuzë, ose duhet të jetë e provuar në dokumente, ose nuk publikohet. Nëse do të ndaleshim tek perceptimet, edhe Adriatik Doçi në ato përgjime perceptohet si fajtor, ndërsa unë dua të besoj se nuk është. Është e papranueshme edhe që dikush paguan një gazetar për t’i mbyllur gojën, edhe pse ndodh në gjithë median botërore (nga Europa në Shtetet e Bashkuara), sipas një rregulle të pashkruar, që një klient publicitar mbrohet. Por mbrojtje nuk do të thotë kurrë komplicitet me paligjshmërinë e tij. Në Shqipëri, për hir të së vërtetës ndodh edhe e kundërta: Janë biznesmenët që shpesh shantazhojnë mediat duke pretenduar heqjen e lajmeve të sikletshme duke kërcënuar me heqjen e reklamës!