Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi.
Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.
Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grupet e reja moshore, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.
Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%).
Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 të tillë me 2011, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.
Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Grupmoshat në moshë pensioni janë rritur me ritme shumë të larta (shiko grafikun e mëposhtëm). Grupmosha 80-84 vjeç ishte grupmosha e dytë me rritjen më të madhe 75% ndërmjet cens 2011 dhe 2023.
Popullsia në moshë pensioni 65+ arriti në 473 mijë persona sipas cens 2023 me rritje 49% nga censi 2011.
Piramida e popullsisë me censin 2023 i ngjan më shumë një peme ku grupmoshat e reja të popullsisë kanë pësuar rënie duke formuar trungun teksa është rritur ndjeshëm popullsia në moshe pensioni qe formon kurorën e pemës.
Kjo hartë e re demografike sugjeron se vendi duhet të investojë më shumë në drejtim të një infrastrukture për popullsi më të plakur dhe të përmirësojë në mënyrë radikale sistemin arsimor, që të prodhojë një forcë pune me aftësi të larta për të përballuar nevojat për shërbime të popullsisë me të vjetër.
Tendencat e konsumit lajmërojnë rritje të mallrave dhe shërbimeve për moshat e vjetra, por ndërkohë infrastruktura për këtë qëllim është ende larg nevojave. Hapësirat për të bërë biznes me një popullsi në plakje janë të larta. Mungojnë azilet, infrastruktura fizike dhe një sistem shëndetësor të specializuar për këto mosha.
Mjekët dhe infermierët geriatër janë gati një profesion i panjohur në vendin tonë. Nga ana tjetër mijëra pensionistë jetojnë të vetmuar, pa shërbime dhe të ardhura për të pleqëruar me dinjitet.
Një seri shërbimesh dhe mallrash për moshat e vjetra aktualisht mungojnë në treg dhe gjithashtu janë një hapësire e pashfrytëzuar për biznes.
Plakja e popullsisë ndikon në çdo aspekt të shoqëria dhe veprimtaria ekonomike. Të moshuarit përbëjnë një grup në rritje të konsumatorëve me nevoja specifike dhe blerje të konsiderueshme.
Tendencat demografike tregojnë, se kompanitë duhet të nxiten për të sjellë në treg më shumë produkte për të gjitha moshat.
Nevojat dhe preferencat e të moshuarve shpesh nuk lidhen me interesat e biznesit, por në dekadat në vijim shumë kompani duhet të përshtatin planet e tyre për këtë grup të ri konsumatorësh