Departamenti i Drejtësisë në SHBA, Distrikti i Columbia ka njoftuar se ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë për fshehje të informacionit nga Byroja Federale e Hetimit.
Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Drejtësisë thuhet se “Charles McGonigal pranon se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish agjent shqiptar”.
“McGonigal u deklarua fajtor sot për fshehjen e fakteve materiale për marrjen e 225,000 dollarëve nga një individ që kishte interesat e biznesit në Evropë, ndërsa McGonigal po mbikëqyrte përpjekjet e kundërzbulimit. Kërkesa u pranua nga gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut të SHBA, Colleen Kollar-Kotelly, e cila caktoi seancën për dhënien e dënimit 16 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.
“Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatë, nga gushti 2017 dhe duke vazhduar deri në periudhën kur doli në pension nga FBI në shtator 2018, McGonigal fshehu natyrën e marrëdhënies së tij me një ish-oficer të huaj sigurie dhe një biznesmen i cili kishte interesa të vazhdueshme biznesi në vendet e huaja.
Në mënyrë të veçantë, McGonigal mori të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga individi dhe udhëtoi jashtë vendit me individin dhe u takua me shtetas të huaj. Individi më vonë shërbeu si një burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte lobim politik të huaj mbi të cilin McGonigal kishte përgjegjësi zyrtare mbikëqyrëse”, thuhet më tej në dokumentin zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, ku theksohet se “akuza parashikon një dënim maksimal prej pesë vjet burg”.