Nga një audit i KLSH, arrihet në konkluzionin se Check-Up nuk ka arritur asnjë efekt në uljen e sëmudshmërisë në popullatë. Pra me pak fjalë u bë vetëm të mbushte xhepat Vilma Nushi...
Nuk kanë fund skandalet në sistemin e shëndetësisë. SPAK ka kryer arrestime për aferën me sterilizimin, por duket se batërdia vijon te të gjitha koncesionet. Kontrolli i Lartë i Shteti ka kryer një auditim në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor me fokus koncesionet në shëndetësi.Sa i takon “Check Up”, skandali është se shteti vijon t’i paguajë Vilma Nushit para për shërbime të pavlera. KLSH arrin në konkluzionin se i gjithë ky projekt ka rezultuar jo efikas, pra dështim total. Mund të themi se ishte një projekt i Ilir Beqajt që Vilma Nushi të merrte milionat.
“Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e Kontratës së Koncesionit të Kontrollit Mjekësor Bazë (KMB/Check-up) me nr. 3082/20 prot., datë 07.01.2015, të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale dhe Shoqërisë Koncesionare “3P.” SHPK, ka rezultuar se, janë kryer pagesa në shumën 876,082 mijë lekë për 454,828 kontrolle të kryera, nga 876,090 mijë lekë për 475,000 seanca, të planifikuara referuar projeksionit. Vlera e shërbimit për 454,828 rastet e KMB të kryera gjatë vitit 2022, rezulton në shumën 838,885 mijë lekë me TVSH. Edhe në vitin 2022, si në vitet e mëparshme, që prej fillimit të zbatimit të kësaj kontrate, janë likuiduar fatura referuar numrit të projektuar të KMB sipas kontratës dhe jo sipas numrit faktik të kryer, për rrjedhojë është faturuar shërbim i pakryer për 20,172 raste, me një kosto në shumën 37,198 mijë lekë me TVSH”, shprehet KLSH.
Por nga analizimi i disa treguesve ka rezultuar se, pavarësisht shtimit të numrit të KMB në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, sëmundjet kronike janë shtuar me 8,603 raste, vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes së sëmundshmërisë dhe kompleksitetit të tyre me 1,184,831 mijë lekë më shumë; rritja e numrit të shtrimeve në spitale me 18,979 raste më shumë, rritja e vizitave ambulatore në Spitalet Universitare dhe Bashkiake me 123,354 raste më shumë etj., tregojnë se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultat konkrete, në uljen e sëmundshmërisë së popullatës, duke cenuar efektshmërinë e përdorimit të këtyre fondeve. Pra me pak fjalë “Check Up” mund të thuhet se ka rezultuar dështim total.
KLSH i ka dhënë një goditje qeverisë dhe për koncesionin e hemodializës, që ofrohet nga Spitali Amerikan i Klodian Allajbeut.
Në raportin e siguruar nga “Pamfleti”, thuhet se sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e Kontratës Koncesionare ka rezultuar se, edhe për vitin 2022, pagesa e koncesionarit nuk kryhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose shprehur ndryshe nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës Qendër dialize, në total 8,854 raste, nga të cilat 6,918 raste nën projeksion dhe 1,936 raste mbi projeksion, në shumën 99,191 mijë lekë, që përfaqëson pagesë për shërbim të pa kryer.
Po ashtu shkelje ka pasur dhe në koncesionet e tjera, por që për ta do të flasim në ditët në vijim