top of page

Dalin 11 faqet e para të akuzës së SPAK për inceneratorin e Tiranës/ Nga bashkia Tiranë të…


Në fakt, në media është krijuar një turbullirë e madhe në lidhje me çështjen e inceneratorëve, sepse shumë prej tyre, të cilat deri deri dje merrnin fatura të mëdha reklamash dhe sponsorizimesh nga inceneratorët që nga viti 2018 dhe kanë qenë mediat kryesore që kanë reklamuar sukseset e inceneratorëve, fitoret e mëdha për pastrimin në Elbasan, megjithëse atje inceneratori është ende jashtë funksionit dhe do t’i kushtojë bashkive të qarkut rreth 2 milionë euro në vit, në Fierk u inceneratori nuk punon, pasi mungon një përqindje investimi prej të paktën 10 % që shuma shkon rreth 3.5 milionë euro, apo në Tiranë ku nuk ka fare incenerator pas 6 vitesh të kontratës koncesionare.


Dezinformimi nga mediat e inceneratorëve

Sot, shumica e mediave që merrnin reklama dhe deklaronin sa të suksesshëm ishin inceneratorët, kanë filluar betejën e tyre kundër korrupsionit të inceneratorëve, por pa theksuar emrat e pronarëve të vërtetë, pra të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.


Këto media targetuan ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe këtë e bënë për të krijuar një konfuzion dhe për t’i vënë kapakun çështjes së inceneratorëve me Ahmetajn, duke thënë se ata ishin miq e vëllezër, tashmë janë ndarë, inceneratorët janë në dy kohë, një kohë parë, një kohë e dytë, hyri “Tigri”, doli “Tigri”, por Mirel Mërtiri nuk përmendet.


Afera dhe milionat e eurove, dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit nuk përmenden nga asnjë nga mediat e sponsorizuara nga inceneratorët, fillo këtu nga “Top Channel”, shko te “Report TV” e të tjera televizione dhe portale anonime, të cilat në rolin e gjobaxhinjve dhe shantazhuesve paguhen nga individët e inceneratorëve për të bërë betejë kundër prokurorëve apo gazetarëve që flasin të vërtetën e kësaj afere që më në fund po merr vëmendjen e duhur nga institucionet e drejtësisë.


11 faqet e para të akuzës së SPAK për inceneratorin e Tiranës

CNA sjell sot e para 11 faqe nga volumi prej rreth 50 të tillash, e cila është kërkesa që dy prokurorët e SPAK-ut, Dritan Prençi dhe Arben Kraja kanë bërë ndaj Gjykatës së Tiranës për të kryer sekuestron preventive të kompanisë së landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.

Në këto 10 faqe të para, duket qartazi se si ka filluar procedura, ku shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet emaile-ve dhe njerëzve të tyre kërkonin marrjen e kontratës koncesionare për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës, ku do të përfshihej edhe prodhimi i energjisë elektrike.


Nga të dhënat e siguruara nga SPAK, nëpërmjet kompjuterit të sekuestruar të shtetasit Klodian Zoto në dhjetor të vitit 2021, rezulton se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë njerëzit më aktivë, të cilët kanë përfshirë dy zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, drejtorë koncesionesh, juristë dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë Tiranë, të ministrive të ndryshme, të cilat ishin përgjegjëse për procedurën që do të dërgonte në firmosjen finale të kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës.


Sipas të dhënave zyrtare të SPAK, të dërguara në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë rezulton se gjithçka ka filluar me shkresën 22/239 protokoll të datës 23 dhjetor 2015, ku Bashkia e Tiranës, ka njoftuar ministrinë e Mjedisit se kjo bashki së bashku me Koorporatën Ndërkombëtare të Financave IFC kanë përfunduar studimin për përmirësimin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës dhe mundësinë e përfshirjes së sektorit privat nëpërmjet PPP-ve dhe bashkia ka informuar se opsioni i zgjerimit të landfillit të Sharrës është vlerësuar nga ekspertë të agjencisë japoneze e kështu me radhë.


Veprimet e para për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit dhe inceneratorit

Më pas, fillojnë veprimet. Siç shihet në shkresën numër 2, Ministria e Mjedisit konfirmon se mes stafeve të institucioneve është arritur të vazhdohet me procedurën për ngritjen e një grupi pune, pra të fillojë puna për të diskutuar në lidhje me këtë hap të hedhur nga bashkia Tiranë dhe IFC.


Më tej, menjëherë njoftohet Klodian Zoto i ITS-së. Nga email-et fillohet me radhë të shihet se gjithçka fillon me këshilltarin e Lefter Kokës, Vladimir Bezhani, i cili sistematikisht kthehet në një nga njerëzit që i shërben inceneratorëve.

Fillon me masterplanet, shkohet më tej me letra interesi nga një dokumentacion i marrë pranë ministrisë së Turizmit, vazhdohet duke gjetur email-et, të cilat kanë treguar se Vladimir Bezhani ka pasur një marrëdhënie të vazhdueshme me Klodian Zoton.

Gjithashtu, shfaqen edhe kompanitë e huaja që përfshihen në krijimin e kompanisë mëmë në Holandë. Shfaqet edhe Mirel Mërtiri, ku i kërkohet miratimi i letrës së interesit nëpërmjet adresave elektronike, kjo e siguruar sipas dokumentit numër 3, të publikuar më poshtë nga CNA dhe siguruar pasi SPAK i ka dërguar gjykatës kërkesën për sekuestron preventive të landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.



Më pas, vazhdojnë procedurat teknike, herë pas here shfaqen kompanitë e huaja dhe letra që dërgohen, email-e të shumta që gjithmonë kanë një emër, Klodian Zoto e bashkëpunëtorët e tij.

Dokumenti i SPAK tregon se si janë çuar dokumentet dhe kërkesat përkatëse nga Ministria e Mjedisit, te Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, te Ministria e Drejtësisë, te ministria e Mjedisit dhe te Bashkia e Tiranës.

Gjithmonë del emri i Klodian Zotos dhe në një moment edhe i kryetares së komisionit të koncesionit, që është zonja Valbona Ballgjini. Në vitin 2016 rezulton që kanë filluar mbajtjet e procesverbaleve dhe diskutimet në bashkinë e Tiranës.


Përfaqësuesit e bashkisë theksohet se kanë deklaruar që përballimi i kostove ishte i pamundur dhe do të duheshe mbështetja e Qeverisë për të paktën 4 vitet e para, dokumentet e ndryshme që kalojnë nga një e-mail në tjetrin, protokolle që i dërgohen ministrive, ka raste që disa ministri kundërshtojnë.

Kundërshtitë nga disa ministri

Një i tillë është në momentin kur fillohet t’i kërkohet dhënia e bonuesit prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy”. Këtu kundërshton në një moment Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, nga ana tjetër Ministria e Financave, rishfaqet Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit që vazhdojnë procedurat e tyre me teknikalitete duke hapur më tej rrugën për koncesionin e inceneratorit të Tiranës.


Ka rikthime dokumentash, rikthime përgjigjesh, shkresa nga institucione të ndryshme, të cilat kanë data të vazhdueshme dhe ajo që bie në sy është shpejtësia me mënyrën se si procedohet.

Në rast se do të shikoni dokumentat e dërguara nga Ministria e Mjedisit te ministritë e linjës, për pak ditë, për 3-5 ditë të gjitha marrin përgjigje, megjithëse institucionet duket në fakt sikur po funskionojnë shumë shpejt.

Ajo që vihet re, në faqen 6, 7 dhe 8 është dhe një shkresë drejtuar zyrës së regjistrimit të pasurive në Tiranë në lidhje me zonat kadastrale, ku nuk identifikohen pasuritë, pasi nuk janë azhornuar zonat urbane, më tej flitet për vlera parash, kontraktim kompanish, vlerash të tjera, shkresa dhe kërkesa drejtuar Bashkisë së Tiranës, përgjigjet e saj, ministrive të tjera të linjës.


Fryrja e kostove për venddepozitimin e mbetjeve

Në dokumentin numër 9 që shihni më poshtë, rishfaqen në e-maile Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ku ata komunikojnë me shtetasin Ilirjan Priftanji, ndërkohë që bëhet një preventiv i ri, sipas sugjerimeve të Mirel Mërtirit për venddepozitimin ekzistues dhe mbylljen e tij, ku në fillim vlera firmoset rreth 12.1 milionë euro dhe më pas fryhet me një shumë më të madhe dhe këtë SPAK e ka konstatuar.


Vlera rritet me rreth 100 mijë euro, por nga ana tjetër në faqen 9 flitet se Mirel Mërtiri i është përgjigjur e-maileve të Klodian Zotos dhe personave të tjerë të përfshirë, duke dhënë dakordësinë e tij për të proceduar pas ndryshimit të këtij preventive.

Në faqen 10 gjithashtu flitet se kostot e ndërtimit sipas rezultateve që duken nga studimi i fizibilitetit, janë fryrë me të paktën 26 milionë euro nga krahasimi i të dhënave me koston e ndërtimit të landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. Kjo është përllogaritur nga SPAK


Sipas të dhënave të administruara nga kompjuteri i Klodian Zotos dhe ekspertizës së bërë, rezulton se shtetasi Elton Kalleshi jep të dhëna të plota për vlerat e kostos se sa kushton incenerimi, pra kostoja e landfillimit, shitjet, të ardhurat e tjera që krijohen dhe sa është fitimi i kompanisë dhe më pas ka komunikime të tij që shkojnë deri tek finalja.

Një e-mail, i cili i çohet Alba Thomës, personi kyç, në këtë çështje të inceneratorëve, e cila me një e-mail, me një kosto, me një variant të ri me 10% fitim, por që në fakt duket se nuk është i tillë dhe kjo vlerë nuk është e vërtetë, pasi brenda duket që ka “hile” që shkojnë përtej kësaj vlere.

Gjithashtu, në faqen 11 të dokumentit, fillon flitet gjerësisht se si kryetarja e komisionit, Valbona Ballgjini dhe sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako, kanë informuar ministrin Lefter Koka dhe kanë pritur miratimin e këtij të fundit, pasi kanë marrë dokumente edhe nga Denisa Tollkuçi, një nga njerëzit kryesorë edhe kjo të inceneratorëve, drejtuese dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Klodian Zotos dhe e Mirel Mërtirit.


Komunikimi i Ministrisë së Mjedisit me Klodian Zoton

Pas dhënies së “OK” nga ministri, ka rifilluar dhënia e shkresave për të kthyer përgjigje institucioneve të ndryshme, komisionet e dhënies-mbajtjes koncesion, është proceduar që të përfundohet vlerësimi i ofertës së paraqitur nga shoqëria koncesionare, ministria e Mjedisit gjithashtu ka kërkuar sqarime nga kompania në lidhje me dokumentacionin që kjo ka çuar në ministri sipas të dhënave të publikuara më lart. Në datën 16 korrik 2017, shoqëria “Integrated Energy B.V.”, i përgjigjet Ministrisë së Mjedisit, duke sqaruar se për çdo pyetje në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, ata ishin të gatshëm të vinin në dispozicion ekspertët e tyre. Kjo shkresë,

është nënshkruar, siç thuhet edhe nga shtetasi Klodian Zoto.


Këto janë 11 faqet e para që CNA po publikon sot. Në vijim do të publikojmë të plotë të gjithë dokumentacionin që SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Janë rreth 50 faqe me akuzat, provat, dokumentet, email-et zyrtare, zyrtarët e përfshirë, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, ministritë përkatëse, nga Ministria e Mjedisit, te ministritë bashkëpunëtore, siç është Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, Ministria e Drejtësisë që duhet të japë “OK”, Ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, Bashkia e Tiranës, e cila ka një rol të rëndësishëm dhe kyç, pasi është pjesë e një grupi pune, një grupi vlerësimi dhe bashkëpunimi të gjerë me Ministritë përkatëse që ka bërë më tej shtyrjen dhe ecjen përpara të procesit për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës, ku ajo që bie në sy është fakti se disa ministri fillimisht kanë kundërshtuar dhe më pas ka pasur komunikime të reja dhe gjithçka duket se ndryshon hap pas hapi.

Këto janë 11 faqet e para të dokumentit zyrtar që SPAK ka çuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, siç theksuam edhe më sipër, ku ka dalë dhe vendimi i gjyqtares Irena Gjoka, e cila ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestron e landfillit të inceneratorit të Tiranës.



bottom of page