Gjykata e Posaçme ka nisur sot sagën e dëshmive në gjyqin ndaj Fatmir Mediut. Ish-ministri i Mbrojtjes ka refuzuar të jetë i pranishëm dhe të dëgjojë ata që humbën fëmijët dhe familjarët...
Fatmir Mediu ka refuzuar të përballet me familjarët e viktimave të Gërdecit, por edhe punonjësit që punonin në të ashtuquajturën “fabrika e vdekjes”.Pas caktimit të dëshmitarëve në seancën e kaluar, Gjykata e Posaçme nisi sot procesin e dëshmive dhe ata që folën ishin banorë të Gërdecit, përfshirë familjarë të viktimave dhe vetë punonjës në fabrikën e demontimit.
Por ashtu siç ka ndodhur deri më sot, Fatmir Mediu vendoi të mos përballet me ta. Ndonëse në aktivitet e partisë dhe në Kuvend është i devotshëm (aty ku paga shkoi 3 mln lekë), kur vjen puna për tu përballur me këtë ngjarje tragjike, Mediu shmanget dhe dërgon avokatët e tij.
I pari që dëshmoi në procesin ndaj Fatmir Mediut ishte Feruzan Durda që humbi djalin e tij të mitur në tragjedinë e Gërdecit. Ai sqaroi se ditën e ngjarjes ndodhej në punë kur u telefonua nga bashkëshortja që e njoftoi për shpërthimin që i mori jetën të birit.
Më pas ai është përplasur me avokatët e Mediut, pasi tregon për herë të parë se djali tjetër 15-vjeçar punonte në fabrikën e demontimit të armëve.
Pas tij dëshmoi bashkëshortja Zamira Durda, e cila dha versionin e saj për ditën e ngjarjes. Më pa pati sërish debate me avokatët, të cilët pyesnin vazhdimisht banorët nëse kishin parë Mediun në fabrikë. Ata thanë jo, teksa Durda deklaroi se nuk ka asnjë problem personal me ish-ministrin Mediu, por sipas saj ishte urdhri i tij që solli tragjedinë e Gërdecit. Ajo tha se kemi të bëjmë me krim shtetëror dhe ata që janë në krye do të mbajnë përgjegjësi.
Një person tjetër që dëshmoi ishte Vasil Laçi, i cili humbi të ëmën në shpërthimin e Gërdecit. Ai deklaroi punonte dhe vetë në fabrikë dhe ishte vetëm 14 vjeç.
Ai tregoi se punën e nisi në vitin 2007 ku më pas mori të ëmën dhe babanë. Më tej tregoi se në momentin që ndodhi shpërthimi të gjithë u larguan por e ëma dhe i ati ngelën brenda. E ëma i humbi jetën pas 10 ditësh në Itali, ndërsa i ati qëndroi për 9 muaj në koma asokohe.
“Në 2007 unë kam filluar punë në fabrikën e çmontimit. Më pas erdhën predhat e më pas unë mora në punë mamin e babin. Ndodhi më pas shpërthimi. Mami e babi mbetën brenda. Mamin e dërguan për Itali ku ndërroi dhe jetë pas 10 ditësh. Babi qëndroi 9 muaj në gjendje kome.Ikëm më vrap. Pamë një flakë që shpërtheu. Isha 14 vjeç kur u punësova. Nuk më kërkuan as dokumente as asgjë. Kur bëra gjyq për dëmshpërblim, kisha gjyqtare gruan e Azem Hajdarit, më tha kush të tha me hy me punuar. Pse ike në punë më tha? Isha nevojtar. Pse na lejoi shteti të hymë e të punoj. Po të isha me këto mend nuk shkoja kurrë të punoj”, theksoi 31-vjeçari.
Më pas ka dëshmuar Fejzi Shehu i cili ka shërbyer si roje zëvendësues tek fabrika e demontimit të armëve. Ai ka treguar momentin kur ka parë flakët.
“Unë isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një familjar i një personi që kërkonte t’i jepte ushqimin.
Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën nga një karrocë dhe njerëzit filluan të bërtisnin për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi. Nuk munda ta fusja ushqimin brenda dhe jam larguar me vrap.
Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës. Kam parë Qemal Deliun që atë ditë ka dalë dy tre herë jashtë me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij e kam mësuar më pas, sepse nuk e dija si emër”, tha ai.
Po ashtu dëshmuan dhe shumë të tjerë, duke treguar me detaje atë se çfarë ndodhte brenda fabrikës së demontimit, ku askush nuk e zbatonte ligjin. Aty kishte fëmijët që merreshin me demontim fishekëve dhe ndërkohë Fatmir Mediu nëpër media shprehet se nuk ka gisht. Madje skandali është se vetë ai nuk e ka ditur fare ku ishte fabrikë, ndërkohë që letrat i ka firmosur të gjitha