Ngutja e qeverisë për të aplikuar rritjen e munguar të pagave gjatë 10 viteve të fundit në administratën publike, vetëm në dy vite, rrezikon të kthehet në bumerang për të gjithë ekonominë.
Projekti i Kryeministrit Edi Rama për të çuar pagën mesatare mujore bruto në sektorin publik në 900 euro deri më 2024, nga rreth 650 euro që është aktualisht, më shumë se një ekuacion mbi kostot buxhetore rrezikon të rrisë më tej presionet mbi inflacionin, papunësinë, barrën fiskale për popullatën e gjerë, borxhin publik dhe humbjen e konkurrueshmërisë, lajmërojnë ekspertët e ekonomisë dhe të tregut të punës, në kushtet kur vlera e prodhimit mbetet e njëjtë.
Në tremujorin e fundit të vitit 2022, paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 74,450 lekë (636 euro), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Sipas planit të qeverisë, ky tregues arrin në 900 euro në vitin 2024, me rritje 41%.
Nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022, pagat reale në sektorin shtetëror janë rritur rreth 20%, teksa plani i ri synon të aplikojë zgjerim me nga 20% për dy vitet në vijim 2022 dhe 2023. Qeveria planifikon që, nëpërmjet pagave të administratës publike (84 mijë punonjës) të ushtrojë presion edhe për sektorin privat.
Në kushtet kur popullsia e vendit po pakësohet dhe po plaket nga ritmet e larta të emigracionit dhe rënia e lindjeve, rritja e pagave po vlerësohet si mjeti i vetëm dhe më i shpejtë për të shpëtuar vendin nga braktisja.
Bizneset dhe ekspertët e ekonomisë e pranojnë se ka vend për përmirësim në disa sektorë dhe kategori biznesesh të mëdha, por rritja me ritme të larta në një periudhë të shkurtër do të jetë e papërballueshme për disa kategori dhe sidomos bizneset e vogla.